Historiku i KJ/Edi Rama: Shqipëria nuk ka nevojë për heronj
(Botuar me 14 Dhjetor 1994 në KOHA JONE)
Intervistë me Edi Ramën
Me flokë të zeza të prera shkurt dhe me pallto të zezë – e mbajnë mend njerëzit atë ditë Dhjetori 1990. I gjatë, ai shquhej nga larg që po vinte drejt tyre. Ata që e njihnin, buzëqeshën. Ata që s’e njihnin u ngrysën. Pastaj shumë shpejt zëri i tij i tingëllueshëm e karakteristik, megjithëse i ngjirur nga altoparlantët, i hipnotizoi ata, pjesëmarrësit e Lëvizjes së Dhjetorit, dashamirësit dhe dashakeqët. Shumë shpejt emri i tyre dhe epitetet… rrugaç, anarshist, rebel dhe fashist, hyjnë në informacionet e aparatçikëve për zyrtarët e shtetit. Por ishte vonë. Ai i përkiste racës njerëzore dhe nuk i durojnë padrejtësitë, pra antishtetit që ishte ngritur në këmbë kundër shtetit dhe po e rrëzonte atë. I ashpër, i vrazhdë, i papërmbajtur, i pamëshirshëm, njeriu i gjatë me flokë të zeza e pallto të zezë sulmoi e demaskoi atë ditë Dhjetori në sa e sa mitingje të organizuara e spontanë dhe intervista e liderit të shtetit dhe misionarë të tij mes antishtetit duke fituar zemrat e besimin e njerëzve të thjeshtë… ka qenë.. RAI transmetonte në lajme një kronikë nga Tirana. Mes saj u shfaq njeriu me pallton e zezë që ju përgjigj gazetarit italian Fulvio Molinari me frazën e prerë: “Demokracia është shumë larg. E rëndësishme është që studentët vranë frikën”… Ka qenë… “Ne nuk jemi mbledhur këtu që të hedhim baltë mbi Enver Hoxhën, por të heqim baltën që hodhi Enver Hoxha mbi ne për 50 vjet”… u shpreh njeriu me pallto të zezë mes një auditori të gjerë e që më pas u lut për herë të parë… “Sot, ja të lutur punonjësit e Sigurimit të Shtetit që ndodhen në sallë të informojnë eprorët e tyre realisht e të mos shpifin si deri më sot”… Atë ditë “Zëri i Amerikës” i përsëriti fjalët e tij në emisionin e mbrëmjes dhe pastaj, të nesërmen, të pasnesërmen ato u ripërsëritën me dhjetëra herë në të gjitha ambientet. Ish vrarë përfundimisht frika… Që atëherë kanë kaluar 4 vjet. Dhe ai, njeriu me flokë të zeza e pallto të zezë, ka mbetur po ai – i panënshtruar… Shok e mik i të gjithë liderëve të partive e armik i të gjitha partive. Të gjithë e duan të jetë me ta e askush s’e do brenda partisë. Njeriu me flokë të zeza e me pallto të zezë, ashtu si dje edhe sot i përket oponencës së shtetit, pavarësisht se aparatçikët e shtetit të ri ashtu si edhe të mëparshmit e konsiderojnë armik dhe e futin përsëri në informacionet për zyrtarët e sotëm të etiketuar rrugaç, anarshist, rebel e fashist. Ai duket mbeti kundërshtar i shtetit. Dhe ç’është më e keqja Edi Rama është i pakorrigjueshëm: Ja, lexojeni intervistën e do të bindeni edhe vetë.
Në mos gaboj ka qenë data 12 dhjetor 1990 kur ju u kthyet nga udhëtimi i shkurtër në Greqi e u shfaqët në Qytetin Studenti… Më pas, dikush tha … po të ishte Rama ditën kur u krijua PD nuk do ta pranonte kurrsesi Berishën… Thënie kjo të cilën e besojnë shumë njerëz që ju njohin nga afër. Sa e vërtetë është kjo dhe pse nuk qëndruat atëherë më shumë se 1 orë në godinën e revolucionit?
Edi Rama: “12 Dhjetori 1990”, “Qyteti Studenti”, “Godina e Revolucionit”, “Pishtarët e Demokracisë”, “Liri Demokraci”, “Dy gishta lart tre gishta poshtë”, “Haveli shqiptar”, “Po të ishte ky, po të ishte ai”, bile edhe vetë “revolucioni demokratik” janë bezamat më të spikatura në kllapinë politike që po kalon vendi ynë që nga çasti kur katër ditët e paharrueshme të studentëve lindën Partinë Demokratike, frontin e madh të shkatërrimit të komunizmit dhe të Shqipërisë, ku bashkë me të rinjtë idealistë, u ngjeshën sup më sup të gjitha llojet e krijesave të diktaturës, të cilat ja morën frymën lëvizjes studentore dhe dalëngadalë, por në mënyrë sistematike imponuan frymën e tyre regresive duke bërë që sot, në një distancë kohe prej vetëm 4 vjetësh nga rënia e komunizmit dhe e mitit të Partisë së Punës, më shumë se gjysma e shqiptarëve të presë me zemrën peshë rikthimin e socialistëve në pushtet. Intelektualë me moral të gjymtuar të mbetur në mes të katër rrugëve, komunistë të degraduar mendërisht dhe të rrënuar shpirtërisht, rezidentë të sigurimit të shtetit të mbetur pa sigurim, agjitatorë të bazës të cilëve ju iku baza nën këmbë, profesor pa vepra, kryetar pa kooperativa, shkrimtarë pa libra, monarkistë pa mbret, gjeneral pa grada, ballistë pa tru, një korr ëndërrimtarësh pa ëndrra, të përkrahur pa kursim nga poetë të rimave të përputhura, nga hajdutë e rrugaçë të panumërt që zbuluan Amerikën, nga bashkatdhetarë gjysmanalfabetë që zbuluan Shqipërinë, nga maniakë seksualë që fituan lirinë për të përdhunuar seksin delikat, nga debilë noterikë që çliruan dufet e tyre abstrakte nëpër mitingje, nga 80-lekësha të rrudhur prej sinqeritetit të sëmurë, nga inatçinj pa arsye që raca shqiptare prodhon me shumicë, një konglomerat i rrallë qeniesh njerëzore uzurpojnë në fare pak kohë idenë e demokracisë, duke ngritur kultin e një formacioni politik ku për i parë u pranua me zë gjithmonë e më shurdhues një sekretar partie i mbetur pa organizatë. Kushdo që shkon sot tek Dhjetori ‘90 për të mbledhur pak nektar lavdie për veten e vet duhet të gjejë sytë për të parë se lulja e paqes që studentët mbollën në 4 ditët e mrekullueshme të spontanitetit të tyre është tharë nga mungesa e dritës, e cila nuk duket më pas malit me plehra që lartohet çdo ditë nën mustaqet e Qeverisë Demokratike dhe e ujit që është ndotur nga balta revolucionare e Partisë Demokratike. Sidoqoftë, meqë ke trokitur në derën time për të kërryer kujtime nga ajo kohë që unë kam kyçur përfundimisht në librin “Refleksione” do të mundohem ta kënaq endjen që kanë për përrallën e lavdishme të Dhjetorit lexuesit e gazetës duke ju kujtuar thënien profetike të Kasem Trebeshinës, i cili, asokohe, ju drejtua prijësit të Partisë Demokratike me fjalët, “doktor, fëmija ka lindur i vdekur”.
Gjithnjë i pavarur nga partitë, mes tyre dhe nga partia e porsaformuar demokratike, duke shkelur “padashje”orientimin e partisë, ju iu drejtuat asokohe një auditore me shprehjen: “Ne nuk jemi mbledhur këtu për të hedhur baltë mbi Enver Hoxhën, por për të hequr baltën që hodhi Enver Hoxha mbi ne për 50 vjet”… ndërkohë që një tjetër “kokëfortë” i “fraksionit” të rebelëve të institutit të arteve Blendi Gonxhe, deklaroi para pak ditësh për gazetën tonë : “Do të kisha pranuar më mirë që Dhjetori të na gjakoste sesa të na përbalte”. Pra balta…
Kam vënë re se shumëkujt i pëlqen ta quajë “revolucion demokratik” shkulmën e demokratëve drejt pushtetit. Nëse do të pajtohesha me zor të madh me përdorimin e termit revolucion, pa pikë dyshimi nuk do ta quaja kurrsesi demokrat. Në fakt nuk është se është e vështirë t’i gjendet emri atij revolucioni që u zhvillua larg ideve, trëndafilave apo kadifeve dhe ma ha mëndja se ai do të rreshtohej normalisht krahas revolucionit borgjez në Francë, revolucionit socialist në Rusi, revolucionit të trëndafilave në Spanjë, revolucionit të shtegut të ndritshëm në Kubë, revolucionit të tiganëve në Kili, apo revolucionit të kadifeshtë në Çekosllovaki, si revolucioni i baltës në Shqipëri. Me baltën që Enver Hoxha hodhi mbi ne, ne qëlluam dhe bëmë mut njëri tjetrin. Në këtë zhbërje totale të bashkësisë shqiptare Partia Demokratike luajti një rol të ulët duke goditur shpresën në të gjitha format e shprehjes së saj dhe duke promovuar shterpësinë mendore në të gjithë gjerësinë e boshllëkut të vet. Duke ngritur mbi këtë boshllëk një strukturë të frikshme që pa pikë turpi e quan shtet sot e gjithë ditën, Partia Demokratike ka bërë dhe bën thjeshtë përpunimin e baltës revolucionare, nën llumin e së cilës shfaqen e zhduken si një ëndërr e keqe frika dhe të gjitha fantazmat e tjera të së kaluarës.
Si do të ishte për Edi Ramën një revolucion që do t’u përgjigjej ekzigjencave të shqiptarëve në Dhjetorin e ‘90?
Unë nuk besoj tek revolucioni, por tek marrëveshja mes njerëzve. Shqiptarëve nuk ju lipsej një revolucion, aq më tepër revolucioni i baltës, por një marrëveshje që mund të realizohej vetëm me frymën e lëvizjes së studentëve. Sot duket qartë që ajo lëvizje mbetet kështjella e një iluzioni të tradhtuar.
Në 8 Dhjetorin që sapo kaloi, në një takim me studentë, Presidenti i Republikës shprehu keqardhjen që në këtë takim përkujtimor nuk merrnin pjesë të gjithë protagonistët e Dhjetorit ‘90! Si do ta komentonit këtë keqardhje?
Përsa di unë, protagonistët e Dhjetorit ‘90 nuk kanë ikur nga kjo botë, dhe së paku ata më të njohurit e asaj periudhe, mblidhen rregullisht çdo mëngjes mbrapa Gjykatës së Kasacionit tek apartamenti – seli i Aleancës Demokratike, kështu që keqardhja e Presidentit duket fort e çuditshme po të kesh parasysh edhe mjetet që ai disponon për t’i gjetur “shokët”e tij të Dhjetorit kudo që të jenë. Ku ta dish!? Ndoshta Presidenti e konsideron atë të rënë në luftë.
Letra juaj e hapur drejtuar Presidentit të Republikës në lidhje me referendumin e 6 Nëntorit ka ngjallur një interes të veçantë. Shumëkush pyet, a beson vërtet Edi Rama, kundërshtari më i hershëm i doktorit të Partisë Demokratike, se Sali Berisha mund të ndërrojë rrugë?
Unë nuk besoj se duhet të ndërrojë rrugë Sali Berisha, por Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe për mua këtu ka një ndryshim jo të vogël, sepse nëse Sali Berisha ka të drejtën e tij të shenjtë të shohë në ëndërr sikur është Skënderbeu, Presidentit të Shqipërisë që troket në dyert e Evropës së fundshekullit të 20 duhet patjetër t’i thuhet që kjo është një ëndërr e rrezikshme. Ne nuk kemi më nevojë as për të kujtuar Dhjetorin e as për heronj të rinj, por për të gjetur demokracinë dhe paqen mes veti. Tani të lutem ta ndërpresim këtë bisedë të lodhshme që nuk i takon në fund të fundit këtij Dhjetori, mua më pëlqen të jetoj me të sotmen.
Intervistoi Ilir Keko