Historiku i KOHA JONE/Kiço Blushi: Nacionalizmi, streha e fundit e diktatorëve

(Botuar me 19 Mars 1995 në KOHA JONE)

Nga Kiço Blushi-
Shprehja më e qartë e këtij pësim-mësimi u duk gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitet 90 Ballkani, si një lëmsh vullkanik, i kokolepsur nga hesapet e të mëdhenjve në tryezën e shahut politik, po provon se nacionalizmi i të bardhëve dhe patriotizmi i të kuqve nuk të nxjerr në udhë tjetër veç luftës, grindjeve, masakrave, keqkuptimeve dhe fjalimeve patetike e absurde të udhëheqësve “popullorë” që s’i zë gjumi për etnitë, për kufijtë, për “padrejtësitë historike”. Kjo sëmundje “çuditërisht” ka përfshirë zonat më të prapambetura të Evropës e pikërisht shpërbërjen e republikave në BS e në ish Jugosllavi. Popujt e varfër, si njerëzit e varfër, manipulohen, gënjehen e egërsohen shumë lehtë. Vija e zjarrit ( përsëri mund të thuhet: “çuditërisht”) kalon në kufijtë e popullsisë ortodokse – myslimane. Kështu po ndodh në të dy ish-et: në ish BS e në ish Jugosllavi. Luftime ndër etnike globale deri tani nuk janë bërë midis shteteve ose popujve të së njëjtës fe: katolike ose ortodokse, apo mes tyre. Dhe askush nuk beson se luftime në këto zona mund të ketë ndonjë ditë! A mund të jetë e rastësishme kjo? Të jetë rastësi që krerët që nxisin e drejtojnë këto luftime të përgjakshme kanë qenë ish-udhëheqës të lartë komunistë që tash janë konvertuar në nacionalistë të zjarrtë duke mbetur në fronet drejtuese, pasi kanë paguar çmimin e tjetërsimit moral e politik? Sigurisht, dukuritë historike ( aq më tepër luftëra) e sidomos kur ato bëhen të përsëritura e të ngjashme, pavarësisht nga hapësirat gjeografike s’mund të quhen më rastësi, as aksident. Çeçenia është larg nga Bosnja, por ngjashmëritë janë të habitshme, si midis udhëheqësve Jelcin-Milosheviç e Izet Begoviç-Dudajev, ashtu edhe nga ballafaqimet politike, etnike, kulturore, fetare e së fundi edhe ushtarake. Edhe rrjedhojat: tragjeditë e masakrat janë të njëjta: edhe toleranca e ndërsjelltë është e njëjtë, pavarësisht nga rrjedha e gjakut e nga intensiteti i bombardimeve, nga impenjimi i emisarëve evropianë e deklaratave humaniste të udhëheqësve europianë ose amerikanë – aktorët luajnë rolet e paracaktuara nga një skenar që, po ta vështrosh me gjakftohtësi e në distancë, duket vërtetë skematik. Shumë filozofë të njohur evropianë e sidomos amerikanë kanë dalë në përfundimin se, me mbarimin e luftës së ftohtë, në planetin tonë po ravijëzohet lufta mes kulturave, mes qytetërimeve. Në qoftë se kjo, siç po duket, është e vërtetë, atëherë përse luftërat nuk kanë nisur e kurrë s’kanë për të nisur midis metropoleve të dy qytetërimeve kryesore – p.sh. midis kryeqendrave të kulturës kristiane dhe islame? Përse Evropa e SHBA qëndrojnë jashtë e shumë larg luftërave duke u mjaftuar vetëm me deklarata, samite apo qoftë edhe me dërgimin e kaskave blu? Pra, “lufta e qytetërimeve”realisht zhvillohet në periferi, në vendet më të prapambetura e kryesisht në ato vende e popuj që përjetuan sistemin komunist. Tanimë nuk ka dyshim se Perëndimi, të paktën si sistem, e fitoi përfundimisht luftën me Lindjen Komuniste për shkak të epërsisë ekonomike e të respektimit të të drejtave njerëzore, si dhe të një taktike unike për të shembur murin e për të dalë fitimtarë nga lufta e ftohtë; por rrjedhojat po tregojnë sheshit se nuk ishte e duket se nuk ka një strategji unike e të qartë se si mund të rindërtohen gërmadhat e mbetura nga sistemi totalitar komunist. Perëndimi duket se nuk ka patur një platformë se si mund të shmanget nacionalizmi agresiv që po zë vendin ideologjisë komuniste. Përkthimet në gjuhët respektive të Kartës së Helsinkit dhe firmosja e saj nga udhëheqësit e vendeve postkomuniste si dhe ndihmat humanitare janë të pamjaftueshme, sepse ato jo vetëm që nuk po garantojnë instalimin e demokracisë së vërtetë, por po i hapin udhë luftërave e grindjeve etnike që po bëhen, siç e thamë, në emër të nacionalizmit. Atëherë ringjallja agresive e nacionalizmit, është pjellë e pashmangshme e tranzicionit, e postkomunizmit dhe e transformimit drastik të strukturave shoqërore, apo brenda kësaj logjike vepron edhe injektimi nga jashtë, për shkaqe centrifugale, që nuk kanë dhe aq lidhje me zhvillimet e brendshme të këtyre popujve. Ky dyshim lind dhe ngjan i besueshëm, pasi jo vetëm mbështetja morale e politike, po edhe ushtarake është brenda ngjyrës fetare, pra udhëheqësit myslimanë mbështesin udhëheqësit myslimanë dhe ortodoksët ata ortodoksë, ndërsa udhëheqësit e mëdhenj katolikë përpiqen të luajnë rolin e arbitrit, duke ofruar pozicionin e partneritetit. E megjithatë, askush nuk e quan këtë – dhe me të drejtë – luftë fetare, por luftë mes qytetërimeve. Veçse, kjo “luftë qytetërimesh” stimulohet e drejtohet kryesisht nga krerët me prejardhje nga kasta e lartë komuniste dhe kjo është një provë që ja vlen për t’u analizuar, qoftë edhe në vija të përgjithshme. Strategjia e Perëndimit për periudhën e “pas rënies”duket se nuk kishte përcaktuar ndonjë platformë se ç’do të bëhej me ish-komunistët dhe veçanërisht me elitën komuniste. Këto do të ndëshkoheshin si Çaushesku, apo si Gorbaçovi? Të bëhej pra ulje e butë apo të aplikohej terapia shok? Në fillimet e 90, shembulli tjetër, ai kinez e që mund të përcaktohet shembulli Ten, dukej i papranueshëm për shkak të Tenjamenit dhe ruajtjes stoike të monopartizmit e të PKK. Pra, në Lindje u përvijuan disa qëndrime ndaj së kaluarës komuniste dhe përfaqësuesve më në zë të saj. Aty ku e djathta doli e paorganizuar, e paarsimuar, e paaftë për të mbajtur pushtetin, për të bërë eficente ekonominë dhe për të krijuar aleanca e kompromise, – aty pra u bë lufta më e egër ndaj ish komunistëve duke hapur një kapitull të ri hakmarrjeje dhe urrejtjeje. Kjo luftë e paprinciptë në thelb pati moral. Ajo në fund të fundit dëmtoi vetë të djathtën, e cila e vetme nuk ishte në gjendje të merrte e të mbante barrën e shtetit e të pushtetit, pa përkrahjen të paktën të ish komunistëve të konvertuar në demokratë e në të djathtë. Këta pra jo vetëm i fali për të kaluarën e tyre të dyshimtë, por i bëri edhe udhëheqës; nga ana tjetër ndëshkoi ish komunistët e thjeshtë që s’kishin përfituar gjë nga komunizmi e që konvertimin e quanin akt të shëmtuar moral. Në Shqipëri, ndonëse e djathta nuk ishte traditë, hakmarrja dhe urrejtja i dhanë ngjyrë e drejtim politikës. Për ta bërë më të qartë grafikun e qëndrimeve ndaj së kaluarës po i rendisim shtresimet politike sipas shembujve më tipikë:
1. Modeli Çaushesku – me vrasje, burgime e gjyqe të ish drejtuesve të lartë komunistë.
2. Modeli Gorbaçov – largim i butë nga postet dhe lënia e lirë, ndonëse e kufizuar nga jeta publike e politike.
3. Modeli Jelcin – ish kandidat i Byrosë Politike, ish sekretar i parë i Moskës, sot i konvertuar në demokrat, antikomunist e nacionalist i përkrahur nga Perëndimi.
4. Modeli Ten – komunist i persekutuar nga paraardhësit që i qëndron besnik idealeve komuniste, drejtimit njëpartiak komunist të cilin e përshtat nga lart e me kujdes në ekonominë e tregut.
5. Modeli Valesa – antikomunist në gen, sindikalist, katolik, ish elektricist, sot President që nuk i gëlltit dot riardhjen, -pas zgjedhjeve të fundit në Poloni – të ish-komunistëve në pushtet.
Në Shqipëri u aplikua modeli Çaushesku ndaj ish nomenklaturës dhe modeli Jelcin për ata që erdhën në pushtet e që pushtetin vetjak e identifikuan me demokracinë. Krerët shqiptarë ndjehen gjithmonë para provës : janë apo s’janë antikomunistë të vërtetë! Ndaj mungesa e ekuilibrit politik dhe marrëzitë politike që ndodhin çdo ditë në Shqipëri vijnë ngaqë modeli Çaushesk kërkohet të zbatohet jo si një nevojë, pra si një domosdoshmëri historike, por si një provim që u jepet Evropës dhe shtresave nga më të vuajtura të komunizmit. Ky zbatim i modeli Çaushesk, ngaqë nuk bëhet dot me prerje të menjëhershme kokash, por me një stërmundim të gjatë dhe me një tension të paprerë social, e bën shoqërinë të çorientuar e të çekuilibruar, pasi kjo lloj politike në të vërtetë nuk mund të të kënaqë as ekstremet e djathta, as të majta, as qendrën. Kjo politike pa timon, pa ekuilibër, pas kausit moral sjell vetvetiu kaos ekonomik. Në këto kushte, për të mbajtur pushtetin, duhet zbatuar modeli Jelcin. Duhen topat e tij që “të godasin”Parlamentin, opozitën, kundërshtarët, gazetarët, të kaluarën, madje edhe partinë e vet. Për të përligjur këtë bombardim intensiv e të palodhshëm që shkatërron energjitë e vendit, duhet edhe justifikimi publik. Në vija të përgjithshme ky terror psikologjik dhe kjo atmosferë pa alternativa të qarta e gjen përgjigjen tek këto argumente:
1. Shqiptarët janë të pamësuar me kulturën demokratike që gjenden kollaj në shpjegimet e liderëve të sotëm zyrtarë: ndaj duhet dhënë demokracia me pikatore.
2. Rreziku i kthimit të komunizmit ndaj duhet mbajtur lufta ndezuar.
3. Çështja kombëtare e kërcënuar.
Më e padiskutueshmja ndaj së cilës nuk mund të kundërshtojë askush, padyshim është çështja kombëtare. Ndaj duke bërë të vetën kartën e nacionalizmit, modeli Jelcin bëhet edhe i fuqishëm, edhe i vështirë për t’u kundërshtuar, edhe i papërballueshëm edhe agresiv. Kjo parzmore nacionaliste e bën të papërballueshëm alternativën nacionale. Liderët delirantë i bën edhe me shpresë se do të hyjnë në histori duke ju a falur marrëzitë për hir të çështjes së madhe kombëtare. Kjo skemë, që nuk u zbatua kurrkund, solli në Shqipëri një traumatizim të përgjithshëm social, ekonomik e politik. Askërkund s’u dënua e djeshmja si në Shqipëri ( edhe lufta antifashite u përdhos) dhe askërkund e sotmja ( drejtimi i vendit ) s’u ndërtua me një lëndë njerëzore intelektualisht e moralisht tepër deficente. Pa analizuar se cili nga këto modele do të duhej të ish më i suksesshmi dhe më i spikaturi, ne që jetojmë në këtë hemisferë gjeopolitike mund “të guxojmë” të themi se modeli Jelcin është më afër nacionalizmit agresiv dhe shtimit pa kontroll e pa fre të tensioneve sociale e ndëretnike brenda dhe jashtë Rusisë e çdo modeli tjetër. Modeli Jelcin nuk ka asnjë udhë tjetër për të mbijetuar politikisht veç patericave të nacionalizmit agresiv dhe kjo po provohet çdo ditë. Konvertimi i Jelcinit nga komunist fanatik (deri sa u ngjit në Byronë Politike të Perandorisë Sovjetike) në antikomunist fanatik rrjedhimisht do të sjellë edhe konvertimin e patriotizmit socialist në nacionalizëm pansllav. Kjo është ana e dukshme; veçse ky konvertim nuk është si ndërrim xhaketash ndaj nuk e shpjegon dot thelbin e vërtetë të modelit Jelcin, që është padyshim një dukuri e shtrirë dhe mjaft komplekse jo vetëm për Rusinë. Askush nuk e shpjegon dot në Perëndim e aq më pak në Lindje zemërgjerësinë dhe mbylljen e njërit sy ndaj bombardimit të paparë të Parlamentit Rus dhe ndaj vrasjeve e bombardimeve në Çeçeni. A do të falej p.sh. Gorbaçovi apo ndonjë udhëheqës tjetër lindor i së njëjtës prejardhje po të kish kryer të njëjtat veprime si Jelcini. Në raport me Kartën e Helsinkit e në një gjykim të paanshëm, ngjarjet në sheshin e kryeqytetit kinez mos janë më tepër antidemokratike se ato të kryeqytetit rus? Përse pra ndryshon qëndrimi? Domethënë ky është qëndrim ndaj modeleve e jo ndaj ngjarjeve. Qëndrim ndaj aleatit e jo qëndrim ndaj partnerëve. Shkurt, modeli Jelcin është më i pëlqyeshëm, më i përkrahur dhe më i tolerueshëm se modelet e tjera për arsye të kuptueshme, gjithsesi jo dhe aq për parime demokratike. Pra, komunizmi i konvertuar, domethënë komunist antikomunist, që vazhdimisht jep prova qofshin edhe absurde, se e ka ndryshuar lëkurën e që luftën më të egër e zhvillon brenda llojit të vet, mund të thuhet është benjamin në qarqet zyrtare të Perëndimit, dhe se do të meritojë përkrahje edhe në të ardhmen për hir të imoralitetit politik, krahasuar me modelet e tjera, edhe pse lajthitjet, marrëzitë, konfliktet dhe intolerancën ky model i ka më me tepri se të tjerët. “Çuditërisht” modeli Jelcin nga Perëndimi i falet madje edhe nacionalizmi agresiv i cili lipset për të mbajtur e justifikuar pushtetin, ndonëse në mënyrë të dhunshme. S’ka rrugë tjetër për këtë model, veç luftës, dhunës, shkeljes së të drejtave të njeriut, vendosjes së diktatit të njëshit, konsolidimi mafioz të pushtetit vetjak. Tashmë ky model e ka provuar se nuk pranon të largohet nga pushteti në asnjë lloj mënyre, as në rrugë demokratike, pasi ai quhet i zgjedhur dhe ai i shërben kombit. Jelcini ka provuar se nxjerr tanket jo vetëm në periferi të Rusisë, por edhe brenda në Moskë. Ai mund të shpallë edhe gjendjen e jashtëzakonshme, edhe mobilizimin e përgjithshëm, duke shmangur zgjedhjet e radhës, nën okelion: Atdheu në rrezik! Ky s’është nacionalizmi klasik, por mund të quhet nacionalizmi klasik, por mund të quhet nacionalizëm i komunistëve të konvertuar që janë në krye të piramidave postkomuniste e që është një rrezik real, një kërcënim konkret, një faktor që dita ditës po i jep kontinentit ngjyra makabre dhe portret çnjerëzor, duke vrarë përditë aspiratën e popujve të shumëvuajtur për demokraci.
Kiço Blushi

SHKARKO APP