Hodha një kartolinë mu në postë. Tuj shku rrugës m’humbi

Nga Arta Marku Qëndro

Koha nuk ndërron
ti e din
nuk ka si ndërrohet.

Koha nuk ndërron as tesha,
shkon gjithmonë me fustanin bojëqielli
që mama ta qepi dikur me dorë.

Koha nuk këmbehet sonte

“më jep pak dashni,
me të dhanë pak shpresë”
dhe as nuk zëvendësohet
“lamtumirë vit i vjetër,
mirësevjen vit i ri”
se e vjetra asht e reja e përditshme.

Koha asht në ty e pandërrueshme,
e vetmja që ndërron
je ti.
Ndërron mendje,
kangë,
ritëm,
dhe bahesh gati
për festë.

Një vit ikën e një tjetër vjen.
Viti i vjetër – themi për atë që shkon.
Viti i ri – themi për atë që hyn.
Por nuk është shkëputje, as fund e as fillim, thjesht vazhdim. Ndryshim, po.
Por nuk është koha që ndryshon. Ata që ndryshojmë jemi ne.
Kështu thotë edhe poetja Entela Tabaku në poezinë më sipër, sado që e titullon: NDËRRIMI I VITEVE.
Në këtë periudhë, poezinë e Tabakut, secili prej jush mund ta kishte shkruar në faqen e pasme të një kartoline urimi, por me gjasë nuk e keni bërë. Sepse kartolinat kanë humbur, ose pothuaj…
A nuk ju vjen keq? Them se po.

Na ishte një herë, në prag të Vitit të Ri, një rit që siç më kujtohet, na pëlqente shumë, të gjithëve: DËRGIMI I URIMEVE.

Rrugës për në shtëpi, një ndalesë në kinkaleri për të blerë kartolina. Nëse imazhet ishin me borë aq më mirë. Por sido të ishin imazhet, ne blinim kartolina. Mbushej tavolina dymijë-lekëshe e bukës plot e uleshim të gjithë bashkë rrotull, për të shkruar. Tekstet ishin dhe s’ishin standard: me raste përdoreshin disa “poezi” me erë që frynte nga përjashta; me perde mëndafshi që tundeshin; me kujtime e mos-harresa… Bukurshkrimi ishte i mirëpritur, edhe përdorimi i majës së kuqe të lapsit kuq e blu për ndonjë nënvizim. Pastaj vinte e nesërmja. Me kartolinat në çantë drejt e te zyrat e postës për të blerë pullat, për t’i ngjitur e për t’i hedhur në kuti, ashtu pa zarfa. Se nuk lipsej zarfi. Edhe sikur kartolina të ishte për fqinjën e derës përballë ajo sërish me postë dërgohej.

Sakaq kishte filluar pritja e urimeve. Postieri i fuste poshtë derës dhe ti hyje me kujdes kur ktheheshe në drekë nga puna a shkolla dhe filloje numërimin. Adeti kishte nisur me kohë sepse ishte e preferueshme që kartolinat të mbërrinin para festës. Ndonjë kartolinë mund të kishte mbërritur sakaq qysh nga java e parë e dhjetorit. Rrallë e tek mbërrinte ndonjë kartolinë e vonuar në fillim të janarit…

Por kohët ndryshuan. E ÇUDITSHME, SI NDRYSHUAN KOHËT KËSHTU!
Jo, jo! Kohët nuk ndryshojnë, ata që ndryshojnë jemi ne.
Por le të merremi me ndryshimin të bërë nga njerëzit e ndryshuar.
Kutia e kuqe e postës u zëvendësua me box-in e postës elektronike. Çfarë shpikjeje! Urimi shpërthente kufij me një shpejtësi të paimagjinueshme.
Por askush s’e parashikoi atëherë se shpejtësia do të bëhej e pamenaxhueshme. Jo e mbërritjes së urimit, por e ndryshimeve.
Koha e urimit me e-mail gjithsesi të personalizuar që i dërgohej githsekujt veçmas në adresën e vet, ia la shumë shpejt vendin kohës së urimit në grup. Një për të gjithë. Një fjali të vetme uruese, herë pas here e përkthyer në një ose dy gjuhë të huaja bashkëngjitur shqipes, në një listë të pafundme adresash. Vetëm adresa, emër asnjë…

DHE NDRYSHIMI VAZHDON… ME NJË SHPEJTËSI GJITHNJË NË RRITJE… Vendin e mailit vjen dhe e zë një SMS. Në krye të herës, kjo shpikje më e mrekullueshme se e-maili, për shkak të mundësive ende të kufizuara që ofronte celulari asokohe, kërkonte sidoqoftë një angazhim prej uruesit. Sepse duhej shkruar për secilin marrës një urim më vete.

POR NDRYSHIMI VAZHDON akoma… ME NJË SHPEJTËSI akoma EDHE MË NË RRITJE… Tek zhvillohet teknologjia, tri fjalë mjafton të shkruash në ekranin e celularit të barazuar tashmë me një kompjuter, dhe me shtypjen e një butoni virtual, urimi u shkon të gjithëve që rastësisht apo qëllimisht janë në listën e kontakteve të celularit.
NDRYSHIMI VAZHDON… Kësaj here është i nevojshëm madje, sepse njerëzit i shpërfillën mesazhet që përmbanin brenda frazën JU UROJ JU DHE FAMILJEVE TUAJA, si dikur nëpër e-maile… A nuk është e vërtetë që i shpërfillët? Fundja janë mesazhe që i drejtohen gjithkujt dhe askujt. As përgjigje nuk meritojnë e as nuk duhen llogaritur si urime. Kështuqë lipsej një zgjidhje. Se kujt i shkoi në mendje një truk i mprehtë djallëzor… Nuk ka më JU UROJ JU… por TË UROJ TY DHE FAMILJES TËNDE… Dhe ja tek u tërhoq vëmendja. Nuk më drejtohet specifikisht mua ky mesazh, se nuk përmendet emri im gjëkundi, por për mua duhet të jetë, me siguri… përndryshe, pse do të ishte në njëjës? Dilemë e paparashikuar, apo jo? Turbulluese sidoqoftë, si të gjitha dilemat…

DHE VAZHDON NDRYSHIMI… SHPEJTËSIA VAZHDON NË RRITJE… Seç na u mbush celulari papritmas me urime të formatit GIF. I njëjti imazh festiv me fishekzjarre, shpërthime shampanje, trigëllima zilkash festive dhe rrahje flatrash engjëllore… Nga të gjithë për të gjithë, nga të njohur e të panjohur, nga gjithkush dhe askush… për gjithkënd dhe askënd.
E çuditshme, si ndryshuan kohët kështu!
Apo jo: si ndryshuam ne kështu!
Shpërthyen urimet gif e menjëherë iu përgjigj shpërthimi i pakënaqësisë ndaj tyre. Nuk merret vesh: të gjithë i dërgojnë e të gjithë ankohen. E ku qëndron problemi këtu?! Ndoshta është nxitje për ndryshimin e radhës që vështirë ta parashikosh se ç’formë do t’i japë urimit.
E vetmja gjë që dihet është se ikën koha e vrapon… duke na ndryshuar ne.

Apo nuk është mirë të ankohesh.
Se fundja, për kë po ankohesh?
Dhe kujt t’i ankohesh?
Më ngjan se këtë vit njerëzit zgjodhën shpërfilljen. Më pak e-maile kolektive, më pak mesazhe, sms apo ëhatsapp. Edhe gif pak, fare pak edhe ato me një fantazi të pafantazi. Qenë më tërheqëse vjet… Apo veç mua më ka ndodhur kështu?
-Të dërgova mesazh urimi, s’mora përgjigje, – më tha dikur dikush, e pastaj dikush tjetër, e pastaj akoma. Më duket se u bënë shumë. Unë nuk hezitova:
-Nuk u përgjigjem mesazheve që nuk më drejtohen posaçërisht, që nuk e përmbajnë emrin tim.
-Ah, ashtu!
Pastaj uruesit, në vend që të shtonin emrin tim në mesazhin e ardhshëm, hoqën dorë nga mesazhi… Kështu më duket se ndodhi. A është dikush tjetër që e gjen veten në këtë dialog dhe pasdialog? Apo është vetëm historia ime?
Të kuptohemi, ata që hoqën dorë nga mesazhi janë masa gri që mbetet gjithnjë gri.
Sidoqoftë kjo është historia e metamorfozës së kartolinave, kartolinashkruesve e kartolinamarrësve. Mesa duket kur deshëm të hedhim një kartolinë “mu në postë, tuj shku rrugës na humbi”…

Na ishin, pra një herë kartolinat. I merrje në dorë, i shkruaje me dorë, i dorëzoheshin marrësit në dorë.
Por tek koha ikën vrapon, njerëzit brenda saj e nëpër të, ndryshojnë. Kështu ndryshoi marrëdhënia jonë me KARTOLINËN.
Si thoni ta dokumentojmë ndryshimin duke i shtuar muzeut një sektor tjetër? Apo më mirë të ngremë një muze të ri, se duhet i madh me gjithë ato kartolina urimi që janë shkruar përgjatë pothuaj 200 vjetëve që nga lindja deri në muzgun e tyre. Marrë nga Pena.al

SHKARKO APP