”Hodhën molotovët e PD”, Braçe thirrje Policisë: Përse heshtni? Referoni përdorimin e fëmijëve
Ish-zv/kryeministri dhe deputet i PS, Erion Braçe ka shkruar sërish për mosbindjen civile që mbajti të hënën PD-ja me partitë e opozitës, ku nuk mungoi kaosi dhe hedhja e molotovëve në institucionet kryesore të vendit. Shqetësuese për Braçen është përdorimi i fëmijëve, ndaj edhe ka një thirrje për Policia e Shtetit. ”Përse nuk referon përdorimin e fëmijëve dhe përfshirjen e tyre në akte të rënda krimi e terrori? Përse! Në këtë vend, nuk ka ndodhur kurrë të rekrutohen, armatosen e përfshihen në akte terrori fëmijët! Flisni, mos heshtni! Çudia nuk duhet të zgjasë tre ditë”,-shkruan Braçe.
Shkrimi i plotë
Pse heshtin? Pse? Nga kush kanë frikë të thonë të vërtetën; Të dëshmojnë krimin e tmerrshëm që u bë me fëmijët, në protestën e dhunshme të PD! Dëgjoni, në protestën e dhunshme u konsumuan një mori krimesh të rënda;
1-Përdorimi i fëmijëve dhe përfshirja e tyre në akte të rënda kriminale siç gjuajtja me molotovë mbi policinë e institucionet, shkatërrimi me sende të forta i pronës;
2-Vënia në duar të fëmijëve të armëve vdekjeprurëse siç molotovi;
3-Sulmi me armë vdekjeprurëse siç molotovi ndaj policisë dhe cënimi deri në rrezikim serioz të jetës së tyre;
4-Sulmi me zjarr me intesistet të fortë, insistimi për të djegur selinë qendrore të Partisë Socialiste, duke cënuar rëndë lirinë politike në këtë vend;
5-Sulmi me të njëjtat armë në fillim-molotove, kur nuk u bë hiç me kujdes, sidomos para selisë së PS, ku gazetarët i rrezikuan të digjeshin, më pas me dhunë në rrugë afër qendrës së Tiranës, duke i penguar të bëjnë punën e tyre.
Tani kam dy pyetje; E para, Avokati i Popullit, organizatat që mbrojnë liritë e të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve, përse heshtin! Përse nuk qëndrojnë para krimeve që u kryen e u dëshmuan publikisht, nga kush tremben? E dyta, po Policia e Shtetit përse nuk referon përdorimin e fëmijëve dhe përfshirjen e tyre në akte të rënda krimi e terrori? Përse! Në këtë vend, nuk ka ndodhur kurrë të rekrutohen, armatosen e përfshihen në akte terrori fëmijët! Flisni, mos heshtni! Çudia nuk duhet të zgjasë tre ditë.