Holanda voton kundër negociatave me Shqipërinë
Parlamenti i Holandës ka votuar sot kundër hapjes së negociatave më Shqipërinë. Rreth 125 deputetë kanë votuar kundër hapjes së negociatave.
Sipas shumicës dërrmuese të deputetëve holandezë, “rezultatet e Shqipërisë janë të pamjaftueshme për të ndërmarrë një hap të tillë”.
Parlamenti holandez i kërkon qeverise që të mos shprehet në favor të propozimit të Komisionit Evropian për Shqiperinë, pasi thotë se vendi ynë nuk ka plotësuar pesë kushtet e vendosura nga Brukseli, ndërsa theksin e vendos tek lufta ndaj korrupsionit dhe krimit.
“Duke vënë në dukje se Shqipëria në mënyrë të qartë nuk i përmbush pesë kushtet e përcaktuara në bazë të këtij raporti të progresit, sepse nuk ka histori në reformën ligjore, në luftën kundër korrupsionit dhe në luftën kundër krimit. Vëren se në bazë të këtij progres-raporti nuk mund të hapen negociatat për pranim. Qeveria holandeze nuk duhet të votojë në favor të propozimit të KE për hapjen e negociatave”, thuhet në mocionin e miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve të Holandës, të hartuar nga Van Helvert, Omtzigt, Anne Mulder, Van der Graaf.
Ditën e sotme, gazeta holandeze “De Telegraaf”, paralajmëroi votën kundër të Holandës në takimin e liderëve të vendeve të BE-së në Bruksel në 28 dhe 29 qershor. Titulli i shkrimit është i drejtpërdrejtë “Hollanda bllokon pranimin e Shqipërisë në BE”, ndërsa në brendësi të artikullit sqarohet se shumica e partive të parlamentit hollandez janë kundër votës pro për hapjen e negociatave dhe shkak për këtë janë bërë shqetësimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Ministri i Jashtëm i Hollandës, thotë për De Telegraaf: “Ne kemi shqetësime serioze në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, duke shtuar se “më shumë përparime duhet të bëhen në këto çështje”. Partitë që janë kundër hapjes së negociatave në parlamentin hollandez janë 5, VVD, CDA, CU, PVV dhe PS 50Plus. Një prej deputetëve të CDA, Van Helvert në prononcimin për gazetën pranon ndikimin rus dhe atë kinez në rajon, por sipas tij kjo nuk është një arsye për të bërë pazare me parimet dhe standartet europiane.
Vetëm dy forca politike parlamentare janë pro hapjes së negociatave, D66 dhe GroenLinks. Arsyetimi është se vërtet Shqipëria nuk është gati për Europën, por hapja e negociatave nuk është anëtarësim në Bashkimin Europian.
KOHA JONË SONDAZH

