Holokausti dhe Besa e Shqiptarëve, historitë e jashtëzakonshme

Në ditën e përkujtimit të viktimave të Holokausit, Asmbasada e SHBA në Tiranë ka risjellë në vëmendje faktin se Shqipëria është ndër vendet e vetme që ku hebrejtë nuk u diskriminuan, por u mbrojtën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Facebook shkruhet:
“Në vitin 1934, Herman Bernstein, Ambasadori Amerikan në Shqipëri shkruante: “Nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi të hebrenjve në Shqipëri, sepse Shqipëria është një nga vendet e rralla në Europë sot ku paragjykimi fetar dhe urrejtja nuk ekzistojnë, edhe pse vetë shqiptarët janë të ndarë në tre besime fetare.”

Në nderim të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ne do të ndajmë me ju historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke dëshmuar mirësi njerëzore dhe traditën unike shqiptare të besës.

Për më shumë foto dhe histori, vizitoni faqen Besa: The Promise ose faqen në internet të Yad Vashem: http://goo.gl/wCCQEu”. Më poshtë mund të lexoni disa nga historitë sesi u shpëtuan hebrejtë në Shqipëri.

***

besa1Në prill të vitit 1941, djaloshi 7 vjeçar Jasa Altarac po vizitonte gjyshen e tij në Sarajevë. E gjithë familja ishte mbledhur për festën hebreje (Passover). Papritmas, zhurma e bombardimeve çau ajrin dhe familja vrapo për në bodrum. Shtëpia u godit. “Mbaj mend që fluturova në ajër shumë lart dhe më pas rashë përtokë. Motra ime Lela u gjend së bashku me gjyshen time. Kishin vdekur.”
Pas varrimit, Jasa me prindërit e tij u kthyen në Beograd. “Gjermanët kishin mbërritur edhe aty, sigurisht. Në të gjithë qytetin posterat njoftonin se kush do të ndihmonte hebrenjtë do të ekzekutohej. Të gjithë hebrenjtë duhet të paraqiteshin në rajonin e policisë. Kështu im atë u dorëzua dhe u dërgua në punë të detyruar.”
Familja vendosi të largohej për në Shqipëri, duke qenë se ishte nën juridiksionin Italian dhe “italianët nuk i persekutonin hebrenjtë.”
Kur forcat pushtuese naziste mbërritën në vend, familja Altarac vendosi se do të ishin më të sigurtë në një qytet të madh si Tirana. Ata u strehuan nga familja e Atif dhe Ganimet Toptanit. Ishin kohë të rrezikshme, gjatë të cilave gjermanët ishin në kërkim të hebrenjve. Por familjet hebreje u mbrojtën nga shpëtimtarët dhe fqinjët e tyre. Të gjithë e dinin dhe askush nuk tregoi. “Njerëzit trokisnin në dyer në mes të natës. Ata i strehonin. Ata u jepnin ushqim. Ata i qetësonin. Thoshin ‘rrini të qetë. Nuk do t’ju ndodhë asgjë e keqe. Do t’ju mbrojmë ne. Do ju duhet të na vrasin ne përpara se t’ju vrasin ju.’
“Ndiej mirënjohjen më të madhe për këta njerëz. Shqiptarët janë njerëz të mirë.”

***

besa2Shtëpia jonë është në Pukë. Im atë kishte një dyqan me ushqime. Ishte i vetmi dyqan i tillë në të gjithë zonën. Një ditë, një transportues gjerman kaloi pranë, me nëntëmbëdhjetë të burgosur shqiptarë që po shkonin drejt punës së rëndë, dhe një hebre, i cili do të ekzekutohej. Im atë, i cili fliste shumë mirë gjermanisht, i ftoi gjermanët në dyqan dhe u ofroi ushqim dhe verë. Ai u dha verë derisa ata u dehën.
Ndërkohë ai fshehu një shënim prenda një pjepri dhe ia dha djaloshit hebre. Aty kishte shkruar udhëzimet si të hidhej nga makina dhe të fshihej në pyll në një vend të caktuar. Gjermanët u inatosën nga arratisja por im atë u tha se ishte i pafajshëm. Ata e morën tim atë në mes të fshatit dhe e lidhën në një mur për ta bërë të tregonte se ku fshihej djaloshi hebre.
Katër herë ata i vunë pistoletën në kokë. Ata u kthyen duke kërcënuar se do ti vinin flakën gjithë fshatit nëse im atë nuk tregonte. Por im atë nuk u dorëzua, dhe ata më në fund ikën.
Im atë e mori djaloshin nga pylli dhe e strehoi në shtëpinë e tij për dy vjet derisa lufta mbaroi. Emir i tij ishte Yeoshua Baruchowiç. Ishim 30 familje në fshatin tonë po askush nuk e dinte se im atë strehonte një hebre. Yeoshua është ende gjallë. Ai është dentist dhe jeton në Meksiko.

***

besa3Orhan Frashëri sapo kishte mbaruar shkollën e mesme dhe punonte si llogaritar kur italianët pushtuan Shqipërinë në 1939. Babai i tij, Halili, e hapi shtëpinë e tyre të madhe në Berat për partizanët që luftonin ndaj pushtuesve.
Drejtori i kompanisë ku Orhani punonte e kërkoi në zyrë. “Ai më kërkoi të plotësoja një formular anëtarësimi në partinë fashiste, të cilin unë e refuzova. Më pas më pushuan nga puna. Shtatë anëtarë të familjes time dhe unë iu bashkuam lëvizjes partizane për çlirim.”
Familja e Orhanit ishin bektashi. “Im atë ishte shumë besimtar. Ai i ndiqte të gjitha zakonet. Edhe xhaxhallarët e mi ishin gjithashtu besimtarë.”
Një ditë, një mik i tij i tregoi babait të Orhanit për tre familje hebreje që po fshiheshin nga nazistët. “Babai i futi në shtëpi dhe i strehoi në katin e dytë, u dha krevatë, dyshekë, batanije, pjata, çdo gjë. Ata kërkuan që të pagonin për to por im atë nuk pranoi. Ata kishin bizhuteri, dhe meqënësi im atë nuk pranoi para, ata u munduan që të paktën të merrte ato. Por ai u tha se ne do të kujdeseshim për çdo gjë.”
Disa nga komshinjtë e Orhanit u habitën se si një besimtar fanatic si babai i tij strehoi hebrenjtë. “Por babai u tha se pikërisht sepse ishte besimtar, sepse ishte bektashi, ne do ti hapnim dyert për ta. Besimi nuk ishte pengesë në shtëpinë tonë. Rreziku i vërtetë ishte se duke pasur ata në shtëpi ishte sikur të kishim një bombë me sahat. Ata ndiqeshin këmba këmbës. Por ne i pranuam pavarësisht pasoja që do mund të kishim nëse gestapoja do ti gjente.”
Orhani mendon se vullneti i babait për të strehuar familjet hebreje ka lidhje me kodin e nderit shqiptar, besën. “Fjala e dhënë e shqiptarëve, besa, është më e vyer se ari. Përpara se të betohen mbi flori, shqiptarët japin fjalën, besën e tyre. Një shprehje e jona thotë ‘shqiptari vret djalën përpara se të thyejë fjalën.’

besa4“Unë jam djali i madh i Nuri Hoxhës, i cili ishte shumë i njohur si mësues dhe besimtar mysliman këtu në komunitetin tonë në Vlorë. Më kujtohen ato kohë të tmerrshme kur nazistët erdhën në Vlorë nga Greqia, dhe hebrenjtë nisën të fshiheshin. Unë isha 10 vjeç. Hebrenjtë në Vlorë, Berat dhe Elbasan jetonin këtu në Shqipëri qysh prej vitit 1490, dhe shumë prej tyre erdhën këtu nga Janina e Greqisë.
Babai im strehoi 4 familje hebreje. Të gjithë ata ishin miqtë e tij. Më kujtohen fjalët e tim eti kur iu drejtua atyre që kishte strehuar: “Tani jemi një familje. Ju nuk do t’ju ndodhë asgjë. Djemtë e mi dhe unë do t’ju mbrojmë ndaj çdo rreziku edhe me jetën tonë.”
I fshehëm familjet në bunkerët nën tokë që lidheshin me shtëpinë tonë të madhe. Aty ishin tre breza nga familjet e Ilia Sollomonit dhe Mojsi Negrin, gjithsej 12 veta. Kishte edhe të tjerë të cilëve nuk ua mbaj mend emrin. Bunkerët ishin të lidhur me njëri-tjetrin dhe kishin shumë dalje për arratisje. Detyra ime ishte që t’u çoja ushqim familjeve në bunker dhe të blija gjërat që u duheshin. Të gjithë banorët e Vlorës ishin anti-fashistë dhe të gjithë e dinin se shumë familje strehonin hebrenjë.

SHKARKO APP