Homazhet për Gjetën, Tahiri akuzon drejtësinë për pazare në kurriz të policisë

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka shfrytëzuar homazhet në nder të nën/komisarit të FNSH-së Simon Gjeta të rënë në krye të detyrës për të vënë në qendër të akuzave sistemin e drejtësisë dhe gjyqtarët e korruptuar që sipas tij bëjnë pazare në kurriz të uniformave blu që përballen çdo ditë me krimin dhe kriminelët.

Për këtë ai ju referuar jo vetëm vrasjes së efektivit, por edhe vrasjes së dyfishtë tek ish-Ekspozita, duke u shprehur autorët e vrasjes ishin arrestuar vetëm pak muaj më parë por ishin lenë të lirë me vendim të dakordësuar.

Tahiri: “Kolegët e tij do të dëgjojnë ende togfjalëshin ndoshta më të zbrazët që mund të dëgjosh në këto kohë, ndëshkimin e merituar. Por çfarë ndëshkimi merr krimi kur punonjësit e policisë gjejnë përballë e luftojnë në rrugë me të njëjtat persona që arrestojnë disa here dhe që drejtësia nuk i dënon por i lë të lirë po aq herë. Simoni humbi jetën por të shumë të tjerë janë të kërcënuar përditë nga drejtësia që jep tepër rrallë ndëshkimin e merituar por tepër shpesh ndëshkimin e dakordësuar, ndëshkimin e paguar.

Para pak ditësh dy të rinj u arrestuan sepse vranë në mes të Tiranës dy të rinj të tjerë, plagosën një të tretë dhe vetëm fati deshte që e gjitha të mos kthehej në një masakër në qendër të qytetit. Por shumë pak e dinë që autorët e kësaj ngjarje ishin arrestuar vetëm pak muaj më parë nga policia dhe ishin lënë të lirë nga drejtësia. Nëse do kishin marrë ndëshkimin e merituar nuk do mund të merrnin jetën e dy të rinjve të tjerë, por morën ndëshkimin e dakorduar. Ky është një ndër mijëra shembuj që na sjell kaq shpesh para syve kronikën e zezë të padrejtësisë nga gjyqtarë të korruptuar që ndoshta nuk vrasin përditë, por vrasin besimin përditë”.

SHKARKO APP