Humb jetën nga Covid-19 drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu

Humb betejën me Covid 19 një tjetër figurë e njohur. Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu, pas luftës disa javore me virusin e rrezikshëm. Hysenlliu ishte i shtruar prej 10 ditësh në Spitalin Infektiv në Tiranë, ku fatkeqësisht nuk mundi ta fitojë betejën me sëmundjen.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj thekson se Agron Hysenlliu ishte një profesionist i shkëlqyer, që nuk u kursye asnjë ditë duke ndihmuar këdo që humbi shtëpinë në tërmetin e 26 nëntorit.

Duke shprehur ngushëllimet familjes dhe miqve të tij të shumtë, Veliaj nënvizon se Tirana e re që po ndërtohet rrënojash, do mbajë përjetë emrin e tij.

“Agron Hysenlliu ishte një profesionist i shkëlqyer, që nuk u kursye asnjë ditë duke ndihmuar këdo që humbi shtëpinë në tërmetin e 26 nëntorit.

Sot ai u nda nga jeta, duke lënë pas trishtimin e ikjes së një njeriu të rrallë e inxhinieri unik.

Tirana e re që po ndërtohet rrënojash, do mbajë përjetë emrin e tij. Ngushëllime familjes e gjithë kolegëve që i deshi aq shumë”, shkruan Veliaj.

SHKARKO APP