Humbi në Himarë, Berisha bën thirrje nga ballkoni: Krye@gritje paqësore dhe qeveri teknike
Sali Berisha nga ballkoni i banesës, tha se Himara duhet të jetë prova e fundit për kryengritje dhe qeveri teknike. Për të Himara duhet të jetë thirrja për çdo qytetar shqiptar se me Edi Ramën si kryeministër, nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira. Ai u bëri thirrje çdo shqiptari që të bashkohet në kryengritje të fuqishme paqësore për realizimin e qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, fitores së opozitës.
”Miqtë e mi, mbrëmë vonë u mbyll farsa e shëmtuar zgjedhore në Himarë, në të cilën Edi Rama shpalosi të gjithë mekanizmat e ekzekutimit të votës pa votuar, pa rënë në kuti. Duke falënderuar të gjithë ata votues, qytetarë që votuan për opozitën, unë i deklaroj sot popullit opozitar se Himara duhet të jetë prova jonë e fundit. Himara duhet të jetë thirrja për çdo qytetar shqiptar se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira”,-tha kreu i PD-së.
Po ashtu Berisha akuzoi sërish kryeministrin Edi Rama se vodhi mandatin, duke u mohuar 6 mijë qytetarëve të drejtën e votës. ”Të dashur miq, nuk është sot as një meritë të deklarosh këtë gjë. Nuk është meritë të deklarosh se Edi Rama vodhi mandatin. Nuk është meritë të deklarosh se ai mohoi të drejtat kushtetuese të 6135 qytetarëve. Nuk është meritë të deklarosh se ai shtoi në lista mbi 350-400 qytetarë që nuk kanë votuar kurrë në Himarë. Nuk është meritë të deklarosh se ai përdori të gjithë shtetin kriminal elektoral për të grabitur mandatin e Himarës. Jo miq”.