Humbja drastike në zgjedhje, analistët: PD nuk e njeh publikun shqiptar
Garën për Tiranën e fitoi kryebashkiaku aktual Erion Veliaj me një diferencë të thellë ndaj Belind Këlliçit të “Bashkë Fitojmë” i cili u radhit i dyti. Për analistin Ben Andoni, i ftuar në studio, faji për humbjen duhet parë fillimisht nga vetja, gjë që siç u shpreh ai, nuk e pa në retorikën e pas humbjes së drejtuesit të ”Rithemelimit”, Sali Berisha.
Andoni thotë se PD-së i munguan projeksionet e sakta ndërsa shtoi se të djathtët thuajse nuk e njohin publikun, realitetin shqiptar. “Në regjistrin e zotit Berisha, ai e kërkoi fajin te qytetarët, te makineria e votave të PS-së dhe mbi të gjitha në desiluzionin e madh që i kanë bërë publikut shqiptar. Uroj që në vazhdim të afrohen njerëz të rinj që do bëjë projeksione të vërteta të së ardhmes”.
Andoni analizon po ashtu edhe retorikën e Belind Këlliçit dhe evidenton disa gabime që, sipas tij, u bënë nga kandidati i “Bashkë Fitojmë” për kryeqytetin. “Nëse ndiqnit retorikën e Këlliçit, ai gati thoshte që kandidimi përballë Veliajt, është shumë i thjeshtë. Që ishte kandidat shumë i lehtë për t’u mposhtur. Ky është naivitet shumë i madh elektoral. Tregon papërgatitje”.
Analisti Plator Nesturi, thotë se nisur nga shifrat e pjesëmarrjes në Primaret e Tiranës, Këlliçi ka arritur të sigurojë veç votën e anëtarësisë së Rithemelimit dhe atë të Partisë së Lirisë.