I burgosuri denoncon: Lejet që shteti na dha për t`u mbrojtur nga Covid 19 janë refuzuar
Emisioni ionvestigativ “BOOM” në RTV Ora solli këtë të mërkurë denoncimin e një qytetareje për sa i përket aktit normativ të publikuar nga qeveria për leje daljet e të burgosurve gjatë kohës së pandemisë së COVID-19.
Bashkëshortit të saj, Kol Gjergj Regji aktualisht vuan dënimin në burgun e Reçit ndodhet në listën e publikuar në aktin normativ ku përfiton lejen e veçantë të daljes por ajo i është refuzuar.
Akti normativ
Pas situatës së krijuar për shkak të pandemisë së koronavirusit, Këshilli i Ministrave miratoi aktin normativ nr.7 datë 23.03.2020 për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve. Ky akt përcakton kriteret për përfitimin ose ndalimin e dhënies së lejes së veçantë me afat 3 muaj, si dhe procedurën që duhet ndjekur në një rast të tillë.
Sot bashkëshortja e tij, denoncon shkeljen e aktit normativ të qeverisë, pa asnjë arsye sa i takon dhënies së lejes së veçantë për bashkëshortin e saj
Bashkëshortja e të burgosurit: Bashkëshorti im ka përfituar nga kjo leje, kam shkuar kam bërë dokumentet unë, kam bërë deklaratat, çfarë më ka kërkuar burgu. Edhe kam qenë duke e marrë në shtëpi, me deklaratë pëlqimi, me krejt. Komisariati i Rrëshenit e ka kthyer mbrapsht.
Gazetarja: Përse?
Bashkëshortja e të burgosurit: Nuk është i dëshirueshëm ka thënë me dalë ai nga burgu. E ka bërë për inate personale i plotfuqishmi i zonës.
I burgosuri Kol Gjergj Rregji ka dhënë një deklaratë për emisionin “BOOM” ku fajëson në mënyrë të drejtpërdrejtë të plotfuqishmin e zonës i cili sipas tij e ka kthyer çështjen në personale.
Kol Gjergj Rregji, burgu Reç: Mua më ka ardhur emri nga drejtoria e burgjeve. Më ka ardhur emri që lejohet Kol Regji që të dal me leje tre muaj te shtëpia. Na thanë të bëjmë letrat, me marrë letrat prej familjes, me plotësu këto modelarët. I plotësova, erdh gruaja prej atje e plotësoi këtu edhe u bënë të gjitha. Këtu thanë do presim letrën e policisë, do ta çoj polici i zonës. Erdhi letra prej policisë, negative. Edhe më thanë mua këtu, o Kol ti nuk përfiton asgjë se të ka ardh letra negative prej policisë. Tani unë nuk e di, pse ka ardh gjithë kjo letër, gjithë ky alarm që mua më ka dhënë leje shteti, vetë shteti më ka thënë dil me leje.
Në lidhje me refuzimin e kësaj lejeje emisioni “BOOM” u përpoq të kontaktojë të plotfuqishmin e zonës, Artan Gjini por ai ka refuzuar të flasë.
Emisioni “BOOM” komunikoi gjithashtu edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të marrë një informacion në lidhje me procedurën që zhvillohet në lidhje me dhënien e mendimit pozitiv apo negativ për marrjen e lejeve të veçanta nga ana e drejtorive vendore të policisë, por drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit na ktheu një përgjigje të shkurtër:
“Çdo mendim, pozitiv apo negativ përbën të dhënë sekrete.”
Në lidhje me procedurën e ndjekur nga ana e burgut të Reçit, sa i takon vlerësimit të kritereve dhe kushteve për të burgosurin Kol Gjergj Regji, “BOOM” telefonoi dhe drejtorin e burgut të Reçit.
Drejtori i burgut u tregua mjaft i rezervuar për të na dhënë informacion, sipas tij të gjithë ata që janë refuzuar për marrjen e kësaj leje, duhet t`i drejtohen Komisionit të Posaçëm të Shqyrtimit të Ankimeve ç`ka parashikohet dhe në aktin normativ nr.7
1. Në rast se një të dënuari,i cili plotëson kriteret për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi, i është refuzuar miratimi i kësaj lejeje të veçantë nga Komisioni i IEVP-së, i dënuari ose përfaqësuesi ligjor i tij mund të paraqesë ankim pranë Komisionit të Posaçëm të Shqyrtimit të Ankimeve, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e marrjes së vendimit.
Dhe pas këtij komisioni akti normativ thotë se ke të drejtë ti drejtohesh gjykatës, por gjykatat janë të mbyllura, e para, e dyta deri sa të bëhet gjykimi, iku COVIDI….