I burgosuri nga Berati ndërron jetë në QSUT
Një 73-vjeçar i burgosur ka ndërruar jetë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se Namik Paja vuante nga disa probleme serioze shëndetësore. Gjatë qëndrimit të tij në institucion, ai është shtruar tri herë në Qendrën Shëndetësore të Burgut. Ngjarja është raportuar menjëherë tek organet kompetente, përfshirë Prokurorinë, SHKBB dhe Policinë e Shtetit, të cilat po kryejnë veprimet procedurale në përputhje me ligjin. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ngushëllon familjen për humbjen e njeriut të tyre.
Njoftim për shtyp
Sot, më datë 9 dhjetor 2024, në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ka ndërruar jetë shtetasi Namik Bexhet Paja, lindur më 5 janar 1951, banues në Berat. Ky shtetas ishte i dënuar me vendim gjykate për masën “shtrim i përkohshëm” për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik” (neni 236/2 i Kodit Penal).
Paja vuante nga disa probleme serioze shëndetësore, përfshirë:
– Çrregullim Bipolar Tip 1
– Insufiçiencë kardiake dhe Sindrom Iskemik i Zemrës
– Hipertension arterial (stad II-III)
– Çrregullime psikotike
– Hernje umbilikale e diagnostikuar më herët.
Gjatë qëndrimit të tij në institucion, shtetasi Paja është shtruar tri herë në Qendrën Shëndetësore të Burgut dhe është trajtuar me mjekimin e duhur për gjendjen e tij shëndetësore.
Ngjarja është raportuar menjëherë tek organet kompetente, përfshirë Prokurorinë, SHKBB dhe Policinë e Shtetit, të cilat po kryejnë veprimet procedurale në përputhje me ligjin.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ngushëllon familjen për humbjen e njeriut të tyre.