I mbijetoi atentati me tritol, Preng Gjini: Nuk jam në hasmëri me askënd
I mbijetuari i atentatit me tritol dy ditë më parë në Tiranë, Preng Gjini ka mundur të flasë për policinë nga Spitali i Traumës ku është i shtruar. Në dëshminë e tij Preng Gjini ka deklaruar se nuk është në hasmëri me askënd dhe se nuk ruhej nga ndokush pasi nuk ndihej i kërcënuar. Ai ka thanë se atë ditë ka qenë në Tiranë ku ka zhvilluar takime të ndryshme me shokë e miq.
Prokurori ka sekuestruar të gjitha filmimet e bëra nga kamerat e sigurisë në zonat ku ka lëvizur Gjini, për të parë nëse ka pasur ndonjë person apo automjet që e ka gjurmuar nga pas, para se t’i bëhej atentati me tritol në makinë me “ML” me të cilën udhëtonte, që ishte në pronësi të kushëririt të tij.
Gjini i ka treguar policisë edhe lokalet dhe akset rrugore ku ka lëvizur dhe kryer takimet, ndërsa grupi hetimor ka vënë nën monitorim këto hapësira me shpresën se mund të gjejë ndonjë indicie apo gjë të dyshimtë.
“Nuk kam asnjë hasmëri dhe konflikte me persona të tjerë. Më është vrarë vëllai por nuk mbaj përgjegjësi për veprimet e tij. Gjatë gjithë kohës nuk kam vënë re asnjë detaj të dyshimtë. Gjithmonë lëvizja i vetëm dhe nuk kisha frikë që të ruhesha. Makinën ia merrja shpesh kushëririt, pasi më të kam marrëdhënie të mira”, ka qenë deklarata e Preng Gjinit para oficerëve të policisë nga shtrati i spitalit ku qëndron i shtruar dhe jashtë rreziku për jetën.