I mori 700 euro të burgosurit, ish-shefi i regjimit dënohet nga GJKKO

GJKKO dënon me Irakli Lekën, ish-shefin e regjimit të burgut të Lushnjes, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Ai u arrestua në shtator të vitit të kaluar pas denoncimit në një emision investigativ, pasi ai i kishte marrë 700 euro një të burgosuri në këmbim të dhënies së lejes së përkohshme të tij në burgun e Lushnjes. GJKKO e shpalli atë fajtor me akuzën “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe e dënoi me 3 vite e tre muaj burg. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 2 vite e dy muaj. Si përfundim, gjykata vendosi pezullimin e dënimit, duke e vënë në shërbim prove për një periudhë kohore 2 vjet, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale. Gjykata thotë po ashtu se, duke qenë se dënimi me burgim u pezullua me kusht, i shuhet edhe masa e arrestit në shtëpi.

Njoftimi i plot nga Gjykata

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Irakli Leka”.

Swiss Digital Desktop Reklama

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Atalanta Zeqiraj dhe Marinela Osmani, me vendimin nr. 16, datë 16.02.2026 vendosi:

Swiss Digital Mobile Reklama

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Irakli Leka për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi dytë të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet e 3 (tre) muaj burgim.

2. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit Irakli Leka i zbritet 1/3 e masës së dënimit me burgim, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e 2 (dy) muaj burgim.

3. Në zbatim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin Irakli Leka për një periudhë kohore 2 (dy) vjet, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.

4. Bazuar në nenin 261 dhe 389 të Kodit të Procedurës Penale duke qenë se dënimi me burgim u pezullua me kusht, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj të pandehurit Irakli Leka, me vendimin nr. 94, datë 19.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë.

5. Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Irakli Leka, për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vjet.

6. Në aplikim të nenit 190, pika 1, gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale të sekuestruara:  aparati celular i markës “Iphone”, me ngjyrë të zezë, me nr. IMEI ****, dhe një kartë SIM e kompanisë “Vodafone”, me nr. tel. ****, t’i kthehen të pandehurit Irakli Leka, ndërkohë, Një USB e markës “Verbatim”, me ngjyrë të zezë, me nr. ****, në të cilën është ngjitur një letër e bardhë me mbishkrimin “Proc.Penal Nr. 179/2025”, në të cilën ndodhet akti i ekspertimit kompjuterik; Një DVD e markës “Verbatim”, me ngjyrë gri, me mbishkrimin me shkrim dore me ngjyrë të kuqe “STOP 16.09.25”, administruar me këqyrje dhe marrje nga drejtuesi i emisionit “STOP”, të mbeten pjesë e dosjes gjyqësore.

7. Në mbështetje të nenit 485/3 të K.Pr.Penale, shpenzimet procedurale dhe ato gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, i ngarkohen të pandehurit.

8. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ftesa e Trump e shpëton Ramën nga sulmet e brendshme politike?