I riu nga fshati Kuç i Beratit braktisi industrinë e naftës për të kultivuar sfungjerin bimor

I punësuar për rreth shtatë vjet në kompani të ndryshme ndërkombëtare si inxhinier në industrinë e naftës, Rakip Belishaku thotë se nuk e mendoi gjatë kur vendosi të kthehej në fshat e të kultivonte një bimë të rrallë.

I riu nga fshati Kuç i Beratit – pjesa jugqendrore e Shqipërisë – para pesë vjetësh nisi t’i bënte eksperimentet e para për të mbjellë bimën ‘lufa’, prej së cilës prodhohet sfungjeri bimor.

Familja kërkoi ta largonte nga fshati, por ai u kthye atje

I riu Rakip Belishaku, i riu që la industrinë e naftës për prodhimin e sfungjerit natyral.
I riu Rakip Belishaku, i riu që la industrinë e naftës për prodhimin e sfungjerit natyral.

Ai tregon se synimi i familjes së tij kishte qenë ta largonin nga fshati dhe për këtë arsye kishin këmbëngulur që të shkollohej në fushën e inxhinierisë së industrisë së naftës. Thotë se prindërit nuk e kanë mirëpritur idenë e tij për t’u kthyer në fshat dhe për t’iu kushtuar bujqësisë.

Por, me gjithë dyshimet e kundërshtimet deri diku të tyre, ai nuk hoqi dorë nga pasioni i tij: dashuria për tokën dhe prodhimi i një produkti ekologjik.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Rakipi tregon se fillimisht kishte ca dyshime, por se qëllimi për të zëvendësuar një produkt sintetik me një produkt ekologjik, e nxiti që të mos tërhiqej nga ideja që i erdhi rastësisht, ndërsa vijonte punën për të kërkuar puse nafte nëpër botë.

“Isha në Vietnam kur u ndesha për herë të parë në Aeroportin e Hanoit me produktin e gatshëm. Nga kurioziteti kërkova më tepër dhe pashë që eksportohej në Evropë nga vendet aziatike. Dhe, aty lindi ideja: pse të mos e kultivoja në Shqipëri dhe ta eksportoja edhe në Evropë?”, thotë 30-vjeçari.

Ai tregon se kur nisi ta shpërndante këtë ide në rrjetet sociale, mori komente që tregonin se kjo bimë ishte kultivuar në disa zona në Shqipëri në vitet ’70 nga specialistët kinezë, që atëkohë shkonin atje për të çuar përvojën e tyre në ndërtimin e kombinateve, uzinave apo digave.

Për katër vjet dhjetëfishoi sipërfaqen e mbjellë

Rakipi u kthye në fshatin e tij të lindjes në Kuç në vitin 2019 dhe filloi eksperimentet për të parë se sa i përshtatej klima dhe përbërja e tokës bimës lufa dhe çfarë sistemi të vaditjes kërkon ajo.

Pasi eksperimentet rezultuan të suksesshme, ai nisi punën për ta kultivuar.

“Në vitin 2020 nisa kultivimin e bimës lufa në një sipërfaqe prej 2 mijë metrash katrorë, ndërsa sot kjo sipërfaqe është dhjetëfishuar në 20 mijë metra katrorë. Kështu, kalova nga puna për industrinë ndotëse tek ajo më në mbrojtje të natyrës”, thotë Rakipi.

Parcela e mbjellë me bimën lufa ne fshatin Kuc të Beratit
Parcela e mbjellë me bimën lufa ne fshatin Kuc të Beratit

Ai tregon se nëse me frutat apo perimet e tjera, puna përfundon me vjeljen, me lufën është ndryshe.

“Me vjeljen ke përfunduar gjysmën e punës. Më pas kërkohet punë dhe kohë për ta larë, pastruar nga farat dhe tharë. Pastaj, e kalojmë në punishten që kemi ngritur bashkë me bashkëshorten time, për ta përgatitur si sfungjer bimor. Ka një cikël prej 180 ditësh – pra gjashtë muaj – nga fara deri te dushi, nga mbjellja deri te përdorimi për kujdesin ndaj lëkurës apo për të larë enët”, thotë inxhinieri.

Duke qenë kjo një industri e panjohur, ai thotë se nuk gjen pajisje teknologjike të gatshme për ta përpunuar produktin, kështu që disa prej proceseve ku kalon bima, i ka ideuar vetë.

Frutat e lufas, që pas përpunimit shndërrohet në sfungjer ekologjik.
Frutat e lufas, që pas përpunimit shndërrohet në sfungjer ekologjik.

Zëvendësimi i sfungjerit sintetik me atë ekologjik

“Një sfungjer natyral e rekomandojmë të përdoret deri në 3-4 muaj, e më pas nis shpërbërja e tij. Ndërkaq, sfungjeri sintetik, për shkak të përbërjes, nuk riciklohet dhe as nuk shpërbëhet – duhen 500 vjet për t’u biodegraduar. Andaj, po punojmë shumë që ta kthejmë në alternativë të produkteve sintetike”, thotë Rakipi.

Ai tregon se ka disa klientë të tij që i kanë blerë farat dhe kanë nisur ta kultivojnë për përdorim vetjak lufën.

Thotë se do të donte që në të ardhmen ta ndryshonte modelin e biznesit, në mënyrë që fermerët e zonës së tij ta kultivonin bimën dhe ai me bashkëshorten ta blinin atë prej tyre dhe më pas ta përpunonin për t’i nxjerrë sfungjerët natyralë.

Forma dhe madhësi të ndryshme të sfungjerit natyral.
Forma dhe madhësi të ndryshme të sfungjerit natyral.

Banorë të fshatit Kuç janë të punësuar sezonalë në biznesin e tij familjar.

Rakipi thotë se sfidë për kultivimin e kësaj bime janë temperaturat e larta, që shpesh ndikojnë në dëmtimin e produktit.

Eksportim në Evropë e SHBA dhe eksperimente në Kosovë

Një pjesë e prodhimit të tij shkon për tregun shqiptar, ndërsa pjesa më e madhe eksportohet.

“Tregun kryesor e kemi në Gjermani, ndërsa, aktualisht, jam duke mbyllur një marrëveshje për ta eksportuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky ka qenë synimi im – të krijoja një brand ‘Made in Albania’ dhe ta eksportoja. Ky mbetet fokusi im”, thotë Rakipi.

Disa lloje të sfungjerit natyral.
Disa lloje të sfungjerit natyral.

Ai tregon se nuk ka hequr krejtësisht dorë nga profesioni si inxhinier, por se “kultivimi i sfungjerit natyral, shtrirja në një sipërfaqe më të madhe, tregtimi në gjithë vendin dhe eksportimi i tij” janë prioritetet e tij.

“Dua të sjell një kulturë të ruajtjes së mjedisit”, thotë ai.

Pasi në Shqipëri e bëri të njohur këtë produkt, ai po përpiqet ta fusë atë edhe në tregun e Kosovës.

“Kur e prezantova në një panair në Kosovë, njerëzit vinin dhe pyesnin se sa kushtonte kadaifi. Për shkak të formës që ka dhe faktit që nuk e njihnin si produkt, iu dukej si kadaif. Më pas, kur u shpjegoja se çfarë është, mbeteshin të habitur”, thotë i riu.

Rakipi tregon, po ashtu, se është duke kryer disa eksperimente në Skënderaj dhe Prishtinë me fermerë të këtyre zonave të Kosovës, për të parë nëse klima dhe përbërja e tokës janë të përshtatshme për ta mbjellë dhe kultivuar lufën, e më pas për ta hedhur në treg.

Me këtë ide, Rakipi dhe bashkëshortja e tij u përzgjodhën fitues të projektit “Green Business 2020” në Shqipëri dhe më pas edhe fitues në rang rajonal në “Balkan Green Ideas 2020”.

Rakipi thotë se përdorimi në dush i sfungjerit natyral, largon qelizat e vdekura të lëkurës, rrit mikroqarkullimin e gjakut dhe parandalon celulitin.

Nën logon “Rinora Handmade” nga bima lufa, familja e tij prodhon rreth shtatë produkte sfungjeri 100% natyrale.

 

Produkti final nga përpunimi i bimës së lufës.
Produkti final nga përpunimi i bimës së lufës.

Atyre u shtohet edhe sapuni natyral i prodhuar me mjaltë dhe gjalpë shea.

REL/
Jetmira Delia-Kaci

SHKARKO APP