I riu u godit 27 herë me thikë, babai i Regisit: E pres te shkallët çdo ditë, dua drejtësi. Këta kriminelë…

Këtë të martë, SPAK-u dha pretencën për Xhuliano Hoxhën dhe Euglen Halilin, të akuzuar për dy vrasjet mafioze në Elbasan, përkatësisht të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.

SPAK-u për Hoxhën ka kërkuar 30 vite burg, ndërsa për Euglen Halilin u kërkua 12 vite burg. Babai i viktimës Regis Runajt ishte i pranishëm në seancë, ku nën zërin që i dridhet nga plaga e madhe, ai tha se ata janë familje e varfër, dhe se kërkon vetëm drejtësi.

“Jemi fukarenj, jemi njerëz të këputur, dua drejtësi për vrasjen e djalit. Gruaja ime është e sëmurë, shpesh e mbyll në dhomë, se kam frikë mos i ndodh diçka. Djalin ma vranë me 27 thika, u them këtyre çunave mua vetëm një thikë më duhet, që të shkoj tek im bir. Dua që këta dy çunat të marrin atë që meritojnë asnjë ditë më shumë. Çdo ditë rri në shkallë dhe pres djalin, por ai nuk vjen, më kuptoni dhe mua, ju i përqafoni fëmijët tuaj. Unë pres që djali të më kërkojë lekë për cigare”.

Vrasja e Emiljano Ramazanit dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh për drogën, pasi ai njihej si shpërndarës kokainë në qytet, ndërsa pak ditë pas vrasjes së tij u gjet i vrarë edhe miku i tij i ngushtë Regis Runaj, 23-vjeç, i vrarë me thikë.

SHKARKO APP