I riu zhduket pa lënë gjurmë, i ati ndërron jetë duke e pritur

Një ngjarje e dhimbshme ka ndodhur në një familje nga fshati Gadime në Lipjan të Kosovës, ku babai i një 23-vjeçari i cili ishte shpallur i zhdukur, ka ndërruar jetë.

I riu, Shqipdon Aliu u zhduk pesë ditë më parë, teksa të dielën, ai u nis me një autobus drejt Prishtinës për të takuar të dashurën e tij.

Ai dëshironte që t’ja prezantonte babait të tij nusen e ardhshme, por u zhduk në rrethana misterioze.

Babai i tij i ndjerë vuante nga kanceri dhe e humbi betejën me sëmundjen e rëndë.

Nevzat Aliu ndërroi jetë ditën e enjte, por familjarët nuk i kishin treguar për zhdukjen e të birit, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Ata janë shprehur për televizionin T7 se nuk i dinë arsyet e zhdukjes së djalit të tyre.

Sipas familjarëve, kurrë nuk iu ka sjellë probleme në shtëpi, ndërsa menaxheri i një lokali ku qëndronte i riu u shpreh se ai ishte një djalë i qetë.

Policia e Kosovës ka nisur kërkimet për gjetjen e të riut nga Kosova, ndërkohë që rezulton se ai nuk ka asnjë precedent të mëparshëm.

Ndonëse kanë kaluar 5 ditë, ende nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e të riut. Megjithatë, burime nga policia janë shprehur se 23-vjecari nuk ka dalë jashtë Kosovës.

 

SHKARKO APP