I shoqëruan djalin në komisariat, ndërron jetë nga infarkti biznesmeni në Sarandë
Biznesmeni Shuaip Sejko, i njohur me pseudonimin “Çapi”, ka ndërruar jetë në orët e para të këtij mëngjesi, si pasojë e një infarkti në Sarandë.
Policia e Sarandës njoftoi sot në një deklaratë për shtyp, duke thënë se ka gjobitur me 1 milion lekë të reja shtetasin K.S., pasi nuk ka respektuar orarin e përcaktuar për mbyllje të aktivitetit, në lokalin e tij, në lagjen nr.1 Sarande.
Policia ka ushtruar kontroll sot rreth orës 04.00 në lokalin e djalit të biznesmenit. Aty ka gjetur një tavolinë dhe për këtë arsye ka shoqëruar të riun në Komisariat.
Dëshmitarë okularë kanë njoftuar babanë e tij, biznesmenin Shuaip Sejko, pronar i një hoteli në qytetin bregdetar.
Sapo ka marrë vesh lajmin, ai ka tentuar të niset drejt Komisariatit të Sarandës, por është ndjerë keq dhe ka përfunduar në spital, ku më pas ka ndërruar jetë si pasojë e një infarkti.
Më herë biznesmeni kishte kryer edhe një bypass.