I vranë babanë 6 vite më parë, policia zbulon autorët e plagosjes së 26-vjeçarit në Rubik
Policia e Shtetit ka identifikuar personat që kanë rrahur dhe më pas kanë plagosur rëndë 26-vjeçarin F. L. mbrëmjen e djeshme në vendin e quajtur Kroji Shtogut.
Sipas policisë autorët kanë qenë katër, dhe mes tyre ka pasur lidhje familjare, duke iu referuar inicialeve që ka dhënë policia.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për problem të vjetra mes të riut dhe autorëve.
Babai i Lekës është vrarë me armë zjarri 6 vite më parë, një ngjarje që ende rezulton të jetë e pazabrdhur. Nga ana tjetër vetë 26-vjeçari ka qenë i denuar me 4 vite burg në Greqi për trafik droge, ngjarje kjo që dyshohet se lidhen dhe me plagosjen e djeshme.
Leka u transportua dje nga Rubiku në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rëndë.
Njoftimi i policisë:
Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të plagosjes së shtetasit F. L., ndodhur mbrëmjen e djeshme.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në vendin e quajtur “Kroji Shtogut” Mirditë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se gjatë një konflikti për motive të dobëta,në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shtetasit A.N.,A.N., V.P. dhe A.P.,banues në Lezhë dhe Mirditë, kanë goditur me sende të forta dhe plagosur me armë zjarri shtetasin F. L.
Policia e Qarkut Lezhë vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore.