”I vr@u shteti”, Prençi: Çfarë mësuan rivalët që Arlindi po e kërkonte me ngulm?
Maskara në Shkodër me 3 të vrarë, rikthen në diskutime edhe njëherë tjetër bandat që janë atje dhe pse shteti nuk po i ndalon këto vrasje që po bëhen në mes të ditës. Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, thotë se Hamza Lici dhe Arlind Bushati u vranë nga shteti dhe bandat që janë në lidhje me qeverinë.
”Unë them që Hamza Licin dhe Arlind Bushatin i ka vrarë shteti. Ndërsa e nderuara Basha është fatkeqe e ndodhur në kohën e gabuar, në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar. Për 300 metra, makinat kanë gjurmuar njëra-tjetrën duke bërë 8-a, duke bllokuar njëra-tjetrën deri në momentin që kanë dalë në krah”,-tha Prençi në ”Euronews Albania”. Ish-drejtuesi i policisë theksoi se policia e Shkodrës i është dhënë me koncesion grupeve kriminale në Shkodër. Ai shtoi se Arlind Bushati u vra nga kundërshtarët pasi këta të fundit mësuan se ai po kërkonte me insistim nga policia që të hidhte dritë mbi një shpërthim tritoli që kishte ndodhur në biznesin e familjes së tij në vitin 2022.
”Arlind Bushati i ka kërkuar vazhdimisht policisë që të hedhë dritë mbi çështjen e dinamitit të ndodhur në lokalin e tyre në vitin 2022. Policia e Shtetit është treguar indiferente pasi kishte presion nga bota e krimit, nga ata që kanë dashur ta denigrojnë dhe ta shkatërrojnë familjen Bushati. Janë grupet kriminale që kanë lidhje me pushtetin. Ata janë konsorciume që kanë marrë me koncesion policinë e Shkodrës deri në vitin 2030. Lobojnë për të emëruar shefa komisariatesh dhe shefa krimesh. Kjo do të vërtetohet shumë shpejt.
Arlind Bushati ka bërë denoncimin për tritolin dhe ka kërkuar në vazhdimësi të hidhet dritë mbi këtë ngjarje. Angazhimin e Arlindit e kanë marrë vesh kundërshtarët dhe i kanë kërkuar që të heshtte. Ai nuk heshti dhe kërkoi vazhdimisht të dinte pse s’po hidhte dritë mbi dëmtimin e pronës së babait të tij. U është dhënë një mesazh duke kaluar me motor dhe duke drejtuar pistoletën. Nuk e dimë nëse pistoleta është bllokuar apo kanë dashur t’i japin vetëm një mesazh. Ata që e kanë shfaqur këtë video sot, ata janë autorët. Nëse e ka shfaqur policia, do të thotë që policia me veprime dhe mosveprime ka kryer krim”, theksoi Prençi.