Ibrahim Kodra, “Picasso” shqiptar
Nga: Saimir Z. Kadiu
Shqiptari më i njohur ndërkombëtarisht në fushen e arteve figurative. Mbi 6000 punime, nga të cilat 2000 janë të regjistruara. I panjohur për shumicën e shqiptarëve deri në fundvitet 80′. Në vitin 1968 ka hapur një ekspozitë të në Prishtinë. Konsiderohet një nga “produktet” më të njohura të Akademisë së Breras (Milano). Mban titullin “Ylli i Breres”.
Mik i ngushtë i figurave të tilla si Picasso, Dino Buzzati, Paul Eluar, Salvadore Quasimodo, Renato Guttuso. Poeti i madh lirik francez Eluar, ka shkruar pasi u takua me piktorin shqiptar. “Kodra është primitivi i fundit i një civilizimi të ri”. Megjithëse jetoi pjesën më të madhe të jetës (rreth 70 vjet) në Itali dhe lidhjet me gjuhën shqipe erdhën duke u dobësuar, amaneti i tij ishte që trupi të prehej në atdheun e tij pas vdekjes.
Piktori Ibrahim Kodra gjithmonë ka përmendur për prejardhjen e tij nga fshati Likmetaj i Ishmit (Durrës), duke bërë një krahasim me sukseset e arritura. “6000 piktura janë në gjithë botën. Kam kërkuar gjithmonë gjërat më të vështira të botës dhe të jetës së njeriut, misterin e kozmosit, misterin e lindjes, misterin e perëndimit, kam kërkuar gjëra të vështira që njeriu nuk mund t’i kuptoj. Toka që po e kërkoj sot besoj ka me qenë atdheu im Shqipëria”.