Ibrahim Lici, një nga 5 personat më të kërkuar nga policia kapet në Turqi. I vëllai: Do kërkojë azil, pasi…
I shpallur si një nga pesë personat më të kërkuar nga Policia shqiptare, Ibrahim Lici i dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër është arrestuar në Turqi. Autoriteteve turke u ka shkuar informacioni nga policia shqiptare për vendndodhjen e Licit.
I ati nëpërmjet disa daljeve mediatike vite më parë, ka mohuar përfshirjen e të birit në vrasjen e Endri Mustafës. Po kështu edhe ëma e viktimës nuk ka akuzuar Ibrahim Licin për vrasjen e Endri Mustafës. Ibrahim Lici ka qenë një nga 5 personat më të kërkuar nga policia në Shqipëri.
Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit flet nga Turqia dhe thotë se ky i fundit nuk është arrestuar nga policia, por është vetëdorëzuar me qëllimin për të kërkuar azil në shtetin turk për shkak se nuk ndjehet i sigurt në Shqipëri.
”Në Shqipëri vëllait tim i rrezikohet jeta dhe në këtë mënyrë ka vendosur që të vetëdorëzohet. Nuk është e vërtetë se është arrestuar por si gjithmonë policia kërkon që t’i bëjë të bujshme edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë. Vëllai im është i pafajshëm pasi nuk ka kryer asnjë vrasje dhe kjo është e vërtetuar por drejtësia shqiptare nuk do që t’i marrë parasysh. Ibrahimi do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi në Shqipëri jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale”, deklaroi Hamza Lici nga Turqia.