Idrizi: Rama fliste ndryshe për Çështjen Çame, sot e ka hequr nga fjalori
Kryefjala e ditës së sotme e zhvillimeve të ditës ishte protesta e organizuar nga PDIU dhe shoqata Çamëria kundër vizitës së Ministrit të Jashtëm Grek, Nikos Dendias, që u përshkallëzua më pas edhe në përplasje midis protestuesve dhe policisë.
I ftuar në A-Show në Syri Tv, përballë gazetarit Adi Krasta, kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka akuzuar direkt kryeministrin se e përdori çështjen çame kur nuk ishte kryeministër për interesat e tij, ndërsa sot është kthyer në një Kalë Trojë dhe e ka nxjerrë nga fjalori i diplomacisë, Çështjen Çame.
“Po besoj që këtë që mund ta gjykojnë të tjerët. Kam bërë atë që shumë shqiptarë do të bënin. Kam dalë aty bashkë me shumë shqiptarë të Çamërisë, por edhe më shumë shqiptarë të tjerë për atë që fillon nga heqja e Ligjit të Luftës, nga Çështja Çame, për shkollimin e fëmijëve shqiptarë në Greqi, janë 150 mijë shqiptarë, apo për të pasur një marrëveshje për sigurimet shoqërore, apo për varrezat e ushtarëve greke”.
“Ajo që ka qenë çudia më e madhe e kësaj dite ka qenë terrori ndaj nesh, sa nuk e kuptiova isha në Shqipëri, apo në Greqi, Ai ka qenë një reagim i momentit, më shumë i nervozuar nga terrori i policisë. Ajo që kam nisur të bëjë më vetëdije ka qenë bllokimi i rrugës…. Padyshim me shumë miq të mi, ishte që të uleshim aty dhe të bllokonim edhe për një moment të caktuar rrugën.
Edhe eunuku që rri në Ministrinë e Jashtmë dhe z. Rama që e kam quajtur dikur si Kalorës i Çështjes Çame dhe tani është kthyer në Kalin e Trojës, isha i bindur që nuk do të diskutonin për Çështjen Çame. Por na kishte vendosur përballë forcat e policisë.
Sigurisht që edhe një shishe ujë nuk do i bënte keq ministrit grek, po të shikosh se çfarë bëhet në Athinë kur vjen Presidenti amerikan. Kurse për Z.Rama nuk kam asnjë lloj surprize. Është pikërisht ky njeri që për hir të pushtetit të tij e ka ndërruar të gjithë agjendën midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Ju kujtohet që në vitin 2012 na prezantoi edhe një rezolute për Çështjen Çame ku thoshte se sapo të bëhej kryeministër çdo 6 muaj do ta kishte në agjendë.
Apo kur dilte te koshi i basketbollit te kongresi i PDU dhe betohej më shumë se ne . Dhe pastaj e ndryshoi të gjithë pozicionin e tij.
Pastaj bëri gjithçka që ta hiqte faktorin çam nga agjenda të mos ishte në parlament, e hoqi edhe nga fjalori i diplomacisë. Madje duke e pranuar edhe vetë që e përdori çështjen çame për të rritur temperaturat me Greqinë për interesa të momentit”.