IKMT aksion në Borsh dhe Llaman, prishen ndërtimet pa leje
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka zhvilluar një aksion në zonën bregdetare të Borshit, në Bashkinë Himarë, ku janë prishur disa ndërtime të kryera pa leje.
Sipas IKMT-së, ndërhyrja ka përfshirë prishjen e katër objekteve dykatëshe dhe një strukture plazhi, të ndërtuara në kundërshtim me kërkesat ligjore për zhvillimin e territorit.
Aksioni është shtrirë edhe në zonën e Llamanit, ku janë prishur disa mure rrethuese të ndërtuara në shkelje të ligjit.
IKMT ka theksuar se ndërhyrjet do të vijojnë në funksion të respektimit të legjislacionit dhe kontrollit të territorit, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve dhe subjekteve që të pajisen me lejet përkatëse përpara nisjes së çdo punimi ndërtimor.
“Çdo subjekt apo individ që dëshiron të kryejë ndërtim duhet t’u drejtohet institucioneve për t’u pajisur me lejet sipas përcaktimeve ligjore”, thuhet në njoftimin e IKMT-së.

