IKMT kalon në varësi të Ministrisë së Brendshme! Transferohen 220 punonjës së bashku me buxhetin
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kalon në varësinë e Ministrisë së Brendshme duke iu hequr Ministrisë së Mjedisit.
Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për vitin 2020, reduktohet me 220 (dyqind e njëzet) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të sistemit të ministrisë në 879 (tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë) punonjës.
Vendimi është miratuar nga Këshilli I Ministrave. I njëjti vendim parashikon se numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Brendshme, për vitin 2020, shtohet me 220 (dyqind e njëzet) punonjës për Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të sistemit të ministrisë në 14 484 (katërmbëdhjetë mijë e katërqind e tetëdhjetë e katër) punonjës.
“Në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për vitin 2020, në programin buxhetor “Programe për mbrojtjen e mjedisit” reduktohet fondi prej 49 300 000 (dyzet e nëntë milionë e treqind mijë) lekësh, në zërin “shpenzime korrente”, dhe në programin buxhetor “Administrimi i pyjeve” reduktohet fondi prej 43 700 000 (dyzet e tre milionë e shtatëqind mijë) lekësh në zërin “shpenzime korrente”.
Në programin “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”, për Ministrinë e Brendshme, shtohet fondi prej 93 000 000 (nëntëdhjetë e tre milionë) lekësh në zërin “shpenzime korrente”, për vitin 2020, për Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Numri i përgjithshëm i punonjësve organikë buxhetorë nuk ndryshon” shkruhet në vendim.