Ilir Babaramo: Rrëzohet kërkesa për lirimin e Nanos
(Botuar me 20 Qershor 1995 në KOHA JONE)
Nga Ilir Babaramo-
“Për Nanon edhe 4 vjet, 1 muaj e 22 ditë burg”
“Nanos i kanë mbetur 4 vjet, 1 muaj dhe 22 ditë” ka konkluduar dje në mesditë gjykata e Tepelenës në një gjykim me dyer të hapura por të abandonuar si nga lideri socialist, ashtu edhe nga të afërmit dhe drejtuesit e tjerë të PS. “Çelësat e burgut të Bënçës nuk janë në gjykatën e Tepelenës por në Tiranë”, – kishte thënë për “KJ” avokati i Nanos, Përparim Sanxhaku, pak çaste para fillimit të procesit gjyqësor. “Ne nuk kemi ardhur këtu me shpresën se gjykata e Tepelenës të bëjë diçka. Ajo e ka dëshmuar tashmë se është nën diktatin e pushtetit politik”, – tha më tej Sanxhaku. Seminari i organizuar pak ditë më parë nga Ministria e Drejtësisë, e cila është një segment i pushtetit ekzekutiv e konfirmoi edhe një herë këtë fakt: Ministria nuk ka asnjë të drejtë të thërrasë gjyqtarët, qoftë edhe për të sqaruar se si duhet të konceptohet dhe të zbatohet ligji. Gjyqtarët gjykojnë vetëm në bazë të ligjit, dhe krijojnë vetëm në bazë të ndërgjegjes së tyre juridike. Të drejtën e interpretimit të ligjit e ka vetëm ai që e dekreton, Kuvendi Popullor”,- tha Sanxhaku. Procesi gjyqësor nisi në orën 10.00 nën drejtimin e kryetarit të Gjykatës së Tepelenës Baftjar Shehu (i cili erdhi në këtë post pas një karriere prej 15 vjet mësues në fshatrat e Tepelenës dhe pas kursit 6 mujor të Plazhit Durrësit), në prani të avokatëve të Nanos dhe të Prokurorit të Rrethit, Alfred Progonati. Fatos Nano nuk ishte i pranishëm. Të drejtën e përfaqësimit nëpërmjet një prokure të firmosur nga ai dhe të cikluar nga komanda e burgut të sigurisë së lartë të Bënçës, Nano autorizonte avokatët e tij. Gjithashtu askush nga familja e Nanos ose nga drejtuesit e lartë të PS nuk ishin në gjyq. Madje siç bëhet e ditur, zonja Nano ka qenë në Tepelenë gjatë gjithë ditës së dielë në takimin e radhës me bashkëshortin e saj dhe është nisur dje në mëngjes drejt Tiranës, vetëm dy orë para se të niste gjyqi. Seanca e vetme e gjyqit të djeshëm e cila zgjati gati 1 orë u përqendrua në kërkesën e Nanos dhe avokatëve të tij për shqyrtimin e masës së dënimit në bazë të neneve 8 dhe 11 të ligjit “për hyrjen në fuqi të kodit të ri penal”. Gjatë kësaj seance avokati Sanxhaku kërkoi rishqyrtimin e masës së dënimit të Nanos, i cili është i dënuar në bazë të nenit 62 dhe 110 të kodit të vjetër penal dhe me zëvendësimin me nenin 134 të kodit të ri penal. “Duhet patur parasysh raporti me maksimumin dhe minimumin që parashikonte kodi i vjetër penal për këtë vepër penale dhe fakti që Nano u gjykua me gati 1/3 e dënimit maksimal. Ky raport duhet të ruhet dhe në rishqyrtimin e çështjes në bazë të kodit të ri penal. Në bazë të nenit 3 të kodit të ri penal ku parashikohet se askush nuk mund të dënohet për një vepër që sipas ligjit të kohës kur është kryer nuk përbën vepër penale. Për efekt të këtij gjykimi të bëjmë një rikualifikim të ri të veprës: nga neni 62 i kodit të vjetër penal në nenin 134 të kodit të ri. Duke patur parasysh këto si dhe uljen e 1/3 të dënimit nga amnistia e vitit të kaluar si dhe dekretit presidencial që i falte Nanos dy vjet nga dënimi, kërkoj lirimin e menjëhershëm të klientit tim”- përfundoi Sanxhaku. Pas kërkesës së Prokurorit të hedhjes poshtë të kërkesës së avokatëve dhe pas administrimit të dokumenteve shkresore, gjykatësi Shehu i dha fund hetimit të çështjes për të dhënë vendimin në orën 14.45.
“Nanos i kanë mbetur për të vuajtur edhe 4 vjet, 1 muaj dhe 22 ditë”. Ky qe vendimi i Gjykatës së Tepelenës. I vetmi përfitim që pati Nano për uljen e dënimit nga hyrja në fuqi e kodit të ri penal, janë 4 muaj e 21 ditë, duke patur parasysh se një ditë paraburgim është e barabartë me 1 ditë e gjysmë burg.
“Rezultatin e këtij vendimi e kemi ditur prej kohësh,- tha menjëherë pas gjyqit Përparim Sanxhaku. Kjo është edhe një nga arsyet që Nano nuk mori pjesë në këtë gjyq”. I pyetur se a do të vazhdojë të shqyrtohet më tej çështja Nano, Sanxhaku u përgjigj se ne brenda 5 ditëve në bazë të ligjit do të bëjmë kërkesën për shqyrtimin e çështjes në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Ilir Babaramo