Ilir Meta priti në një takim Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Republikës Çeke, z. Jan Hamáček

Z. Meta theksoi se vizita e z. Hamáček në Tiranë i jep një impuls të ri cilësisë së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke, të cilat kanë në potencial të madh zhvillimi bazuar mbi një ndjenjë miqësie të fortë mes dy popujve.

Në përfundim dy Kryetarët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z. Meta

“Dua t’i uroj mirëseardhjen në Tiranë Kryetarit të Dhomës së Deputetëve të Republikës Çeke, z. Jan Hamáček si dhe delegacionit të nderuar parlamentar që e shoqëron.

Vizita e homologut të nderuar Hamáček, jo vetëm tregon vazhdimësinë e marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve tona, por jam i bindur se do të hapë një faqe të re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke, të cilat kanë një perspektivë të qartë bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh, në interes të ngushtë të dy vendeve.

Kemi vlerësuar se marrëdhëniet ndër-parlamentare janë shumë të rëndësishme për të garantuar cilësinë dhe dinamikën e bashkëpunimit dypalësh, dhe në këtë drejtim vlerësoj se kjo vizitë po i jep një shtysë të re këtyre marrëdhënieve.

Kemi rënë dakord për të intensifikuar shkëmbimet parlamentare, jo vetëm në nivel Kryetarësh, por edhe në nivel të komisioneve parlamentare dhe në kuadër të Grupeve të Miqësisë midis dy vendeve.Kam shprehur mirënjohjen tonë për mbështetjen që Republika Çeke i ka dhënë në vazhdimësi proceseve tona integruese, anëtarësimi në NATO por edhe procesit të integrimit evropian dhe e vlerësojmë Çekinë si një aleate të fortë të vendeve të rajonit tonë për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian.E kam falënderuar njëkohësisht për mbështetjen e Çekisë në përzgjedhjen e Shqipërisë si anëtare e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Po kështu kemi vlerësuar kontributin e spikatur që Çekia vazhdon të japë në Kosovë si në kuadër të forcimit të demokracisë, ashtu edhe të konsolidimit të institucioneve funksionale shtetërore atje.Kemi ndarë bindjen së bashku se dy vendet tona e mbështesin fuqimisht perspektivën evropiane të Kosovës si edhe avancimin e dialogut të saj me Serbinë, në të mirë të mirëqenies dhe standardeve të jetesës për qytetarët.Kemi vlerësuar së bashku edhe vizitën e pritshme të Kryeministrit, z. Edi Rama në Beograd javën e ardhshme si një nismë mjaft pozitive për të ardhmen e bashkëpunimit jo vetëm të dy vendeve por të gjithë rajonit tonë.

Sepse e ardhmja e vendeve Ballkanit është në Bashkimin Evropian, dhe në këtë drejtim vlerësojmë mbështetjen Çekisë dhe të gjithë vendeve të Vishegradit.Kemi shprehur vullnetin e përbashkët për të shtuar në mënyrë ambicioze bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare, përmes riaktivizimit të komisioneve të përbashkëta ekonomike dhe forumeve të biznesit në të ardhmen.

Kemi nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe të kulturës, ku ekziston një traditë shumë e mirë midis dy vendeve por edhe të gjithë shkëmbimet e tjera. Ashtu sikurse kemi shprehur besimin se shkëmbimet e turistëve do të njohin rritje më të madhe në të ardhmen mes dy vendeve.Në vlerësojmë në veçanti eksperiencën e Republikës Çeke në kuadër të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit dhe jemi të kënaqur që i njëjti model i mishëruar përmes Fondit për Ballkanin Perëndimor do ta ketë selinë pikërisht këtu në Tiranë dhe falënderojmë Çekinë për këtë mbështetje.

Eksperienca e Vishegradit është një model i shkëlqyer i bashkëpunimit rajonal, dhe në këtë drejtim kemi shumë ç’të mësojmë nga Çekia, por edhe nga ekspertiza e saj si mbështetje e mëtejshme drejt hapjes së negociatave dhe përgatitjes për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.Kemi rënë dakord për të bashkëpunuar në këtë drejtim sidomos të përforcimit të kuadrit legjislativ në përgatitje për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.Kemi rënë dakord të forcojmë më tej bashkëpunimin midis dy vendeve tona si dy vende aleate në kuadër edhe të NATO-s për të kontribuar në mbarëvajtjen e paqes, pjekurisë dhe stabilitetit në këtë pjesë të kontinentit tonë.Edhe një herë dua ta falënderoj Kryetarin e Parlamentit të Çekisë, z. Hamáček për këtë vizitë dhe delegacionin që e shoqërojnë dhe të shpreh bindjen se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Çekisë do të njohin një dinamikë edhe më intensive pas kësaj vizite.

Këtu, vlerësojmë ekspertizën dhe asistencën teknike çeke, veçanërisht në drejtim të përforcimit të kuadrit legjislativ që do të ndërmerret në përgatitje për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Fjala e Kryetarit të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës Çeke, z. Jan Hamáček

I nderuar z. Kryetar.

Të nderuar zonja, të pranishëm.

Meqenëse se Kryetari i Kuvendit, z. Meta përmendi disa fusha kryesore të bashkëpunimit, më lejoni dhe mua të shtoj disa komente.Unë besoj se vizita jonë e sotme nuk është vizita e fundit, por do të jetë një impuls për vizita të tjera në të ardhmen, të cilat do të vijnë dhe në rangje më të ulëta, në rang komisionesh dhe shoqatash, që do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, si:  Komisioni Mbrojtjes, Komisioni i Marrëdhënieve me Komunitetin Evropian, Komisioni i Integrimit, etj.

Unë jam shumë i lumtur që pata mundësinë të njihem me ambasadorin e ardhshëm të Republikës së Shqipërisë, në Pragë. Besoj se ka shumë hapësira ku mund të bashkëpunojmë. Besoj se do të jetë detyra e ambasadorit të gjejë mundësi të reja bashkëpunimi në fusha të tjera. Të gjejë mundësinë se çfarë produktesh mund të eksportohen apo importohen.Ne jemi të bindur se vendi i Shqipërisë është në Evropë. Jemi gjithashtu të bindur se jo vetëm vendi i Shqipërisë është në Evropë, por të gjitha vendet, edhe ato që janë vende të reja të Evropës, e kanë vendin aty.

Dhe ne kemi kaluar një proces shumë të komplikuar negociatash me Bashkimin Evropian, për të dhënë  idetë tona, eksperiencat tona dhe t’i përshtatemi atij realiteti.Z. Meta përmendi edhe fushën e turizmit. Gjithashtu doja t’ju kujtoja se vitin tjetër planifikohet vendosja e një linje direkt fluturimi nga Praga për në Shqipëri. Besoj se avionët do të jenë plot me turistë që vijnë nga Çekia për në Shqipëri, por dhe anasjelltas, por jo vetëm të Pragës sepse Çekia ka dhe vende të tjera të mrekullueshme. Besoj se në këtë fushë do të ketë një bashkëpunim akoma më të thellë.Pata kënaqësinë të ftoj z. Meta për një vizitë në Pragë. Besoj se me takimin e sotshëm dhe me takimin në Pragë do të ketë intensifikim dhe frekuenca e takimeve dhe në rangje të tjera do të jetë më e shpeshtë.

Ju faleminderit.

 

SHKARKO APP