Intervistë e Ilir Metës me 21 qershor 1995: PS po tenton drejt qendrës
(Botuar me 21 Qershor 1995 në KOHA JONE).
Intervistë me Nënkryetarin e PS, zotin Ilir Meta
Z. Meta në një intervistë dhënë gazetës “Aleanca” Nano është shprehur për një orientim të ri të PS drejt qendrës, jo më nga e majta. Si e komentoni ju këtë?
Në dy intervistat e fundit të kryetarit të PS Fatos Nano, shohim një avancim të mëtejshëm të konceptimit të situatës politike, ekonomike, sociale dhe në politikën e jashtme të vendit tonë duke u nisur nga vetë evoluimi i ngjarjeve. Këto ngjarje kanë reflektuar edhe në një evoluim të qëndrimeve të PS, ku qëndrimet e fundit të kryetarit të saj kanë qenë edhe më të spikatura. Është vetë zhvillimi i këtyre ngjarjeve, evoluimi i PS, reflektimi i vazhdueshëm i saj ndaj zhvillimeve të ndodhura në realitetin shqiptar, që natyrshëm çon drejt një moderimi të mëtejshëm të saj dhe të një lëvizjeje më të ekuilibruar drejt qendrës. Ne jemi një parti e majtë që tentojmë të ecim drejt qendrës dhe kjo na jep më shumë hapësirë në spektrin politik si dhe na afron akoma më shumë me partitë e tjera të qendrës, apo edhe të qendrës së djathtë me të cilat kemi disa objektiva të përbashkëta.
Duket se keni një pozicionim të ri për sa i përket spektrit të PS.
Nuk është ndryshim pozicioni, është avancim i mëtejshëm i atij procesi të nisur para 4 vjetësh.
Të hënën u refuzua kërkesa për lirimin e Nanos dhe sipas gjykatës së Tepelenës, atij i ngelen edhe 4 vjet, 1 muaj e 22 ditë për të vuajtur dënimin. Pse u hezitua sipas jush të shqyrtohej çështja nga Gjykata e Tepelenës kur nuk bëhej fjalë për lirim të tij?
Pavarësisht nga rikonfirmimi i atij dënimi të padrejtë e politik që i është bërë kryetarit të PS Fatos Nano, jam i sigurt se Nano nuk i numëron ditët e burgut me aq shqetësimin sa Berisha numëron ditët që i kanë mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme. Që në fillim duke qenë të bindur për motivet politike të këtij procesi të nisur kundër kryetarit të PS, Nano dhe vetë PS, ne nuk kemi patur shumë iluzione për “zemërgjerësinë” e pushtetit të sotëm. Por gjithashtu asnjëherë ne nuk kemi nënvleftësuar përpjekjet tona ligjore për të mbrojtur deri në fund kryetarin e PS. Pavarësisht se ne e kemi bindjen se drejtësia është krejtësisht e nënshtruar ndaj pushtetit politik të sotëm. Ne do të vazhdojmë edhe më tej në kuadër të këtyre përpjekjeve, por bindja jonë është se kryetari i PS, Nano do të lirohet atëherë kur organet gjyqësore të fitojnë pavarësinë e humbur të tyre. Dhe kjo duket se është e vështirë të ndodhi para zgjedhjeve të përgjithshme.
Pra ju ishit të sigurt në mosdaljen e kryetarit të PS Nano?
Ne nuk kemi dashur të paragjykojmë drejtësinë, por duke qenë se ajo sistematikisht ka paragjykuar vetveten dhe ligjin në këto dy vjet të procesit të kryetarit të PS, sinqerisht nuk kishim shumë shpresa për një vendim të drejtë dhe ligjor të saj. E rëndësishme për ne është që nuk janë realizuar ato objektiva, që me anë të goditjes së Fatos Nano të realizohej goditja e opozitës, mundësisht përçarja e saj, diskretitimi i Nanos si figurë kryesore politike e PS. Përkundrazi, edhe opinioni brenda vendit edhe akoma më shumë dhe më intensivisht ai. Ndërkombëtarë janë solidarizuar dhe po solidarizohen me çështjen Nano, si çështje e rëndësishme politike, pa zgjidhjen e së cilës Shqipëria e ka të vështirë të tregojë se po ecën në rrugën e emancipimit politik të saj.
Një nga faktorët për pranimin e Shqipërisë në KE ka qenë edhe lirimi i Nanos. Çdo të sjellë 29 Qershor, dita në të cilën do të diskutohet për pranimin përfundimtar të Shqipërisë në këtë organizëm?
Më 29 qershor KE do të përpiqet të futë Shqipërinë anëtare të tij. Ne kemi mbështetur futjen e Shqipërisë në KE, pavarësisht se jemi të bindur se Shqipëria nuk i ka respektuar dhe nuk i respekton standardet e të drejtave të njeriut, të opozitës, pavarësisht se organeve të drejtësisë për t’u futur denjësisht në KE. Duke patur parasysh reflektimin e autoriteteve tona për plotësimin e kërkesave dhe përmirësimin e standardeve të kërkuara në KE, që në të vërtetë ka qenë pa rezultat, ne kemi vlerësuar se pranimi i Shqipërisë në KE në këto kushte do t’i jepte një rëndësi më të madhe vetë KE. Sepse ai bashkë me institucionet e tij do të ndikonte që në Shqipëri ato probleme që janë ende të pazgjidhura të vihen në rrugën e duhur dhe në një kohë të shkurtër ajo t’i arrinte të gjitha ato standarde që janë të domosdoshme për të qenë një anëtar dinjitoz i KE. Mendoj se kjo është në të mirë të vendit, të integrimit dhe demokratizimit të mëtejshëm të Shqipërisë, por edhe të situatës në Rajon. Ne dëshirojmë të hyjmë në KE, por do të ishte më mirë të përpiqeshim ne më shumë për të hyrë në KE, duke i respektuar kërkesat dhe standardet e duhura, por në këto kushte ne jemi shumë mirënjohës KE për përpjekjet e mëdha që po bën për ta bërë Shqipërinë anëtare të tij.
Po tani që dënimi i tij prej 4 vjetësh është dhënë, mendoni se do të ketë ndonjë problem në KE?
Hija e dyshimit është lënë që me burgosjen e Nanos dhe kjo ka ardhur gjithnjë e duke u forcuar. Në këtë situatë, pavarësisht nga mosplotësimi i kërkesës së KE, Shqipëria duhet të pranohet, të pranohet vullneti i popullit tonë për një demokraci më evropiane dhe jo autoritare shqiptare. Ne do t’i vazhdojmë përpjekjet tona për lirimin e Fatos Nanos, besojmë se edhe institucionet ndërkombëtare dhe evropiane do të ndihmojnë më tepër.
Një komision nismëtar i përbërë nga 33 persona të quajtur intelektualë, kanë firmosur një peticion, me anë të të cilit kërkojnë goditjen nga themelet të diktaturës së kuqe, duke e filluar që nga polici më i thjeshtë. Pra është një formë gjenocidi…
Këtë unë e vlerësoj si një sinjal për fillimin e fushatës së ardhshme elektorale. Si një akt demagogjik që nuk do të ketë kurrfarë rezultati, por që do të përdoret siç duket në mënyrë abuzive për të shtuar tymin dhe mjegullën në politikën shqiptare. Është e vonuar. Ne gjithmonë kemi qenë të hapur që të gjithë ata që janë përgjegjës për krime, për gjenocid, në bazë të fakteve dhe provave të vihen para ligjit. Por iniciativa të tilla, veçanërisht kur midis tyre janë edhe militantë të shquar të sistemit të kaluar, tingëllojnë vërtet shumë demagogjike dhe qesharake.
Mos edhe kjo është një lojë politike, për të mbuluar disi problemin e përfolur të dosjeve për ish punonjësit e sigurimit të shtetit dhe mjaft çështje të tjera?
Këto dy probleme kanë një lidhje. Spekulimi që bëhet sot me të kaluarën. Qëndrimi ynë ka qenë në të dy rastet i qartë. Për gjenocidin ne e kemi bërë të qartë siç e thashë edhe më lart, ata që kanë kryer krime në bazë të fakteve të vihen para ligjit. Edhe për problemin e hapjes së dosjeve të sigurimit të shtetit, ne kemi qenë të qartë e të prerë për hapjen e tyre, por vetëm për klasën e politikanëve. Kjo është bërë domosdoshmëri në kuadër të përdorimit të tyre për luftë politike ndaj kundërshtarit politik. Mendoj se kjo do të ishte shumë pozitive, pasi do t’u heqë mundësinë shumë ish bashkëpunëtorëve të sigurimit, që të përdoren sot në lojën politike për të goditur forcat e ndryshme politike.
Berisha ka filluar vizitat nëpër popull. Mos është kjo një fushatë elektorale e shpallur tashmë?
Kjo është në kuadrin e intensifikimit të përpjekjeve të Presidentit Berisha për të rikuperuar imazhin e partisë, qeverisë dhe të tijin personal, imazhe që u tronditën seriozisht gjatë referendumit të 6 nëntorit. Fakti që vazhdimisht në qendër të takimeve dhe komunikimeve të tij gjatë këtyre vizitave, qëndron goditja ndaj opozitës, tregon se kjo është në kuadrin e përgatitjeve që ai po bën për fushatën e ardhshme elektorale dhe kjo është e natyrshme. Unë mund të them se dalja e Presidentit në popull “na lehtëson”edhe neve punën.
Mendoni se mes këtyre kontakteve, presidenti mund t’i shtojë ndonjë pikë eurobarometrit të PD?
Nuk besoj se do të shtojë ndonjë pikë sepse është e njëjta frymë, që ai transmetoi gjatë referendumit, por tani me një ton më të ulët. Kjo është e papranueshme nga qytetarët, por edhe sikur të shtonte ndonjë pikë, nuk besoj se do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve.
Duket sikur PS ka rënë në heshtje. Ndërkaq ju këmbëngulni se asnjë pikë e PD nuk do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve. Kaq e sigurt është fitorja?
Besoj se heshtja e PS është më shumë një përshtypje. Për sa i takon zgjedhjeve të ardhshme, kjo natyrisht që do të përcaktohet gjatë zgjedhjeve të përgjithshme. Por të gjitha zhvillimet brenda vendit tregojnë se populli shqiptar i beson opozitës së sotme, ku PS është forca kryesore e saj dhe mungesa e reflektimit të autoriteteve shqiptare e përforcon më tepër besimin e njerëzve tek opozita e sotme.
Disa deputetë të PD janë shprehur se PD i ka zgjedhjet të fituara…
Ndoshta këta deputetë nisen me mendimin e mirë, se, meqenëse PD e ka të sigurt fitoren, atëherë nuk është e nevojshme të bëhen zgjedhjet e ardhshme.
Si e gjykoni ju shkarkimin e dy kryetarëve të këshillave të rretheve në Skrapar dhe Fier, kandiduar nga PS?
Shkarkimin e këtyre dy kryetarëve e kemi gjykuar si të pabazuar në ligj, dhe për këtë kemi bërë edhe ankimet përkatëse në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është një përpjekje për të goditur imazhin e socialistëve në pushtetin lokal, për të paralajmëruar se kështu do të jenë edhe në pushtetin qendror. Kuptohet edhe kjo, po në kuadrin e përgatitjeve për fushatën e ardhshme elektorale. Por pavarësisht nga shkarkimi i tyre, kjo është fare e qartë se çfarë përfaqëson, është një veprim politik ndaj opozitës. Nuk ka për të patur asnjë pasojë as në shkallë vendi dhe as në këto dy rrethe, të cilat besojnë me një shumicë absolute tek PS.
Intervistoi Jonila Godole