Iluzioni i kulturës

Nga Nesti Zefi-
Iluzioni i kulturës
Në rastet e 7 marsit, fillimit të vitit shkollorë apo akademik, përkujtimit të përvjetorit të alfabetit e sebepe të tjera të kësaj matrice, ka nji harbim në nivele histerike të retorikës mbi nevojën e shkollimit e të kulturës si dermani përfundimtar për me zgjidhë problemet e vendit e arritë andrrën e nji begatie sublime në tana nivelet për me knaq nevojat e njirit. Sigurisht, me këtë debutim nuk jam kundër kulturës dhe përvoja personale e nji katundari qe ka ruejt delet e mandej ia ka dalë me shkelë auditore prestigjoze e konfirmon randësinë e kulturës në sensin e saj etimologjik, d.m.th të kultivimit të personit në krejt talentet e tij. Provokimi që dëshiroj me lshue e tematizue lidhet me modelin e cilës kulturë duhet të përqafojmë për me zhvillue esencën tonë si njerëz që jetojnë në polis?
Me mendue se kultura e ban njirin ma të mirë, të drejtë dhe të ndershëm asht thjesht nji prrallë që e besojnë sall naivët e pandreqshëm..
Kjo prrallë me origjinë neoilumiste se krimet, korrupsioni, poshtërsia njerëzore janë produkt i injorancës apo mungesës të shkollës, nuk qëndrojnë në kambë edhe sikur ta kenë thanë pjesa ma e ndritun e etnëve të kombit tonë; në fakt disa e kanë thanë dhe realiteti faktik i shtrimë në histori i ka përgënjeshtrue.
Prandej, tue rikurperue pyetjen e lanun pezull se cila kulturë duhet aplikue për me zbut e orientue njirin drejt misionit të vet, duhet thanë pa mëdyshje se duhet kultura e përgjegjësisë dhe sakrificës e cila e “gozhdon” atë me marrë nji pozicion të premë drejt virtytit dhe ndershmënisë, tue pasë frikën e Zotit. Me kenë i ndershëm, aq ma tepër në nji vend si Shqipnia, ku konsiderohesh edhe qyqar, implikon nji sakrificë të madhe për me qeverisë tundimin e egoizmit, të cilën e justifikon sall nji motiv teleologjik, dmth, besimi në shpërblimin e Provanisë Hyjnore.
Kultura e sotme që i kreh bishtin vetvetes, ka relativizue dhe nihilizue qëllimet për të cilat ia vlen të jetohet, tue e krrys njirin e shoqninë në disa kapriço të vogla egoiste. Pra, kjo kulturë imanente, pa horizont në përjetësi, na ka ushqye me grazhdin helmues të shkëmbimit të kulturës si magazinë rraqesh me u transferue në mendje pa asnji kriter shoshitjet kritike. Kjo asht arsyeja se ne shtegtimet e mia njerëzore e intelektuale, konsideroj si “maestrat” e mijë, disa pleqë ndoshta edhe analfabetë me të cilët jam rritë, se sa shumë shkenctarë e akademikë me tituj prestigjozë që kam hasë në qendrat e dijës universitare. Ndoshta, kjo asht edhe arsyeja që e kam konsiderue si referencë njerëzore, kulturore, fetare dhe intelektuale, nji mendje brilante, si Papa Ratzinger, sepse ka ditë me mbrojt kulturën autentike të njerëzve të thjeshtë që kultivojnë kulturën e mirsisë dhe virtytet, tue i deçentrue kshtu prej egoizmit të tyne autoreferencial. Ne përfundim, po citoj Volterrin, filozof i iluminizmit dhe idhtar i kulturës antifetare dhe pa horizont trashendental që thoshte, “se asht mirë me e pasë edhe pastruesën besimtare të devotshme në Zot, mbasi kshtu sendet e shpisë janë ma të sigurta”…

SHKARKO APP