Ilva Tare:Hetim ndërkombëtar për të gjithë e për gjithçka!

 

 

Nga Ilva Tare.

Propozimi i Gramoz Ruçit për të hetuar disa prej ngjarjeve, apo siç njihen në opinion skandalet më të mëdha në këto 20 vitet e fundit, duhet marrë seriozisht dhe mund të shënojë një pikë kthese në dhënien e drejtësisë në këtë vend. Në fjalën e tij kundërshtuese ndaj hetimit ndërkombëtar për CEZ, të kërkuar nga PD dhe Meta, socialisti Ruçi hodhi një sfidë për të gjithë klasën politike, por që çuditërisht u kalua në heshtje dhe nuk pati jehonë edhe pse preku një ndër pikat e dobëta të mosfunskionimit të shtetit që ka prodhuar pandëshkueshmëri.

Kreu i grupit parlamentar të PS mori përsipër të bindë deputetët e tij për të votuar thirrjen e prokurorëve dhe gjykatësve nga SHBA dhe BE për Gërdecin, 21 janarin, rrugën e Kombit, CEZ dhe ndonjë dosje tjetër për të cilën do të kishte interes opozita e sotme. Ky propozim meriton vëmendje dhe mbështetje, në kushtet kur akuzat ndaj politikanëve janë kthyer në objekte humori e sharjesh në sallën e kuvendit dhe shërbejnë më shumë për të pastruar se ndëshkuar politikanët e korruptuar.

Praktika e përdorur jo pa qëllim nga klasa politike për të shpërndarë zhytje në shtratin e korrupsionit të kundërshtarëve ka funksionuar. Sot, shqiptarët janë të bindur se politikanët, në mos të gjithë, pjesa më e madhe e tyre janë të përlyer në afera, kanë përfituar miliona euro dhe kanë imunitet ndaj dorëzimi përpara drejtësisë. Përgojimi, është përdorur padrejtësisht si një alibi për të bindur shoqërinë se të gjithë pushtetabuzuesit janë në një thes dhe është e pamundur për t’i shkuar deri në fund të vërtetave.

Po t’i shtosh kësaj thuajse amnistie për ‘krimet’ e politikanëve, edhe mungesën e besimit dhe të përdorimit të drejtësisë për interesa vetjake dhe partiake, shanset për drejtësi janë edhe më të largëta se sa destinacionet e shqiptarëve të thjeshtë, që kanë zgjedhur ta braktisin këtë ofertë politike në Shqipëri, bashkë me pajetueshmërinë që i kanë sjellë këtij vendi.

Ndaj, Gramoz Ruçi do të bënte mirë që të bindte edhe Ramën bashkë me të tijtë, që hetimi ndërkombëtar për çështje të gjithëpranuara si problematike për t’u hetuar nga drejtësia shqiptare, të hetohen nga ndërkombëtarët. Edhe opozita e sotme, ka një mundësi të pastrohet nga akuza që i konsideron politikisht të motivuara dhe të pavërteta, pavarësisht ndëshkimeve elektorale që ka marrë nga qytetarët. Hetimi ndërkombëtar do të ishte i besueshëm, i gjithëpranueshëm dhe do të ishte shpëtim për të gjitha fantazmat që vazhdojnë ta mbajnë peng të tashmen për shkak të errësirës në të kaluarën.

Meqenëse në këtë vend pothuajse të gjithë të akuzuarit e cështjeve të bujshme pretendojnë të jenë engjëj të gjuajtur me gurë të lyer me pasion politikë, le t’i dorëzohen drejtësisë së bërë nga ndërkombëtarët, pa interesa dhe ndikime. Përfundimi i gjykimeve të tilla mund ta pastronte klasën politike dhe të çmontonte lidhjet e saj korruptive dhe abuzuese në administratën publike me të ardhurat publike. Përndryshe, deklaratat nga Kuvendi do të mbeten pallavra pa shije dhe besimi i qytetarëve tek këta politikë të dyshuar si të pahetuar në këtë vend nuk do të vendoset kurrë, as me drejtësi të reformuar, nëse do të bëhet një ditë.

SHKARKO APP