IMT dhe Policia Bashkiake shembin godinën pranë shkollës “Ismail Qemali”, Benet Beci: Oborret pronë e qytetarëve
Një hapësirë e zaptuar prej kohësh në oborrin e shkollës “Ismail Qemali” në Shkodër i është rikthyer nxënësve dhe mësuesve, pas ndërhyrjes së Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë Bashkiake.
Kryebashkiaku Benet Beci thotë se hapësira e liruar do t’i shërbejë sërish qëllimit të saj arsimor, duke garantuar kushte më të përshtatshme për nxënësit. Autoritetet theksojnë se oborret e shkollave janë pronë publike dhe u përkasin fëmijëve të qytetit.
Për të aksioni është pjesë e një filozofie të qartë për mbrojtjen e hapësirave publike dhe nuk përbën një veprim të izoluar apo simbolik. Ai paralajmëroi se çdo ndërhyrje e paligjshme në tokë publike do të përballet me ligjin, duke nënvizuar se rregulli është i panegociueshëm.
Postimi i plotë
Hapësira e zaptuar brenda oborrit të shkollës “Ismail Qemali”, që i kishte zënë frymën këtij institucioni arsimor, i kthehet nxënësve dhe mësuesve. Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia Bashkiake kanë ndërhyrë për lirimin e kësaj hapësire, e cila kishte zënë “rrënjë” në mes të oborrit të shkollës.
Hapësira i rikthehet funksionit të saj të plotë arsimor. Oborret e shkollave janë pronë e fëmijëve të Shkodrës.
Është momenti që kush ka vepruar mbi tokë publike, apo ushqen ende iluzionin se mund të bëjë çfarë të dojë, të bëjë mirë llogaritë me realitetin. Ky aksion nuk është episod, as show ditor.
Është vetëm një shembull i qartë i filozofisë sonë për të ndalur pangopësinë e atyre që qytetin nuk e shohin si shtëpi të përbashkët, por e shqyejnë si prenë e vet. Qyteti nuk administrohet me oreks, por me rregull për të gjithë. Dhe rregulli nuk negociohet.
KOHA JONË SONDAZH

