Imzot George Frendo: Po përfitojnë nga tërmeti, skandal!

Kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo vlerëson solidaritetin që treguan shqiptarët dhe ndërkombëtarët pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, por nuk lë pa kritikuar ashpër atë pjesë të popullit që po përfiton në kurriz të viktimave nga tërmeti. I ftuar në Ora News, Frendo e cilësoi si të paprecedent dhe skandal abuzimet që po ndodhin në tregun e qirave por edhe materialeve të ndërtimit, ndaj edhe kërkoi ndërhyrjen e mënjehërshme të autoriteteve shtetërore.

Deklarata e plotë

Kanë treguar shumë solidaritet. Kemi parë edhe shumë të huaj që kanë treguar solidaritet duke dërguar ndihma. Më vjen keq për faktin se ka disa që po përfitojnë nga kjo tragjedi për tu pasuruar. Ata që në këtë tragjedi po rrisin çmimet e qirave, edhe materialet për ndërtim.

Ky është skandal shumë i madh. Kjo tregon edhe një krizë morale. Kur populli humb respektin për të tjerët në një situatë të tillë kjo tregon se kanë krijuar një idhull në jetën e tyre, idhulli i ri që është leku, pasuria, duke harruar vlerat themelore. Kam lexuar në një gazetë sot, mijëra familje ende jetojnë në shtëpi të shkatërruara pasi në qytet nuk ka shtëpi me qira. Por edhe ato që janë, jepen me çmime të kripura.

Do të sugjeroja që autoritetet të frenojnë këto abuzime, janë abuzime të mëdha kundër njerëzimit. Kjo tregon një krizë morale në shoqëri. Nuk janë shumica e popullit sepse në përgjithësi populli ka treguar shumë solidaritet. Megjithatë nuk mund të rrimë të qetë kundër këtij abuzimi.

SHKARKO APP