Imzot Gjergj Meta mirënjohës për vizitën e Begajt në Pashkët katolike: Jemi të kënaqur që simboli i unitetit të kombit është këtu!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi sot Katedralen e Rrëshenit, me rastin e Pashkës Katolike, ku u prit nga Ipeshkvi i dioqezës së Rrëshenit, imzot Gjergj Meta.

Përmes një prononcimi për mediet, Meta falenderoi Begajn që në këtë ditë të shënuar për besimtarët katolik iu drejtua periferisë, e cila shpeshherë bie në hijen e qendrës. Mirënjohës për vizitën, Imzot Gjergj Meta u shpreh i lumtur që Rrësheni u vizitua nga “simboli i unitetit të popullit tonë”.

“Dua ta falenderoj Presidentin. Është një kënaqësi që presidenti zgjedh Rrëshenin, një qytet periferik shpeshherë jo në qendrën e vëmendjes së qendrës. Dhe që Presidenti rikthen vëmendjen drejt periferisë. Është një teolog indian që thotë se qendrat e vërteta janë periferitë, dhe në fakt kështu është. Dhe Presidenti duke ardhur këtu e rithekson dhe e rivlerëson këtë gjë dhe besoj se do ta bëjë edhe në të ardhmen me zona të tjera. Por bukur që është këtu sot Presidenti i Republikës. Simboli i unitetit të dukshëm të popullit tonë figura e Presidentit dhe prandaj për këtë jemi të kënaqur që është këtu. Faleminderit zoti President”,-u shpreh Imzot Dom Gjergj Meta, mesazh ky i cili u përcoll nga një urim i Begajt, për pashkë të gëzuara.

SHKARKO APP