Inaugurohet Aeroporti Artistik i Pukës. Të hënën ulet shfaqja “Boeing Boeing” e Teatrit Shëtitës “Çajupi”
Teatri Shëtitës “Çajupi” i gatshëm dhe i guximshëm ka nisur stinën e verës. Me prodhime të suksesshme teatrore po prezantohet për publikun. “Boeing Boeing” është komedia e suksesshme që pas Tiranës do të vijojë dhe në skena të tjera. Në këtë udhëtim është dhe shfaqja për fëmijët “Aladdin”. “Boeing Boeing” shfaqja më e suksesshme teatrore e 30 viteve të fundit në datën 24 maj do të udhëtojë drejt Pukës, për zbritur në kinoteatrin e qytetit në orën 19.00 të mbrëmjes. Teatri Shëtitës “Çajupi” do ta performojë këtë shfaqje mbrëmjen e të hënës së ardhshme dhe në role janë aktorët Amos Muji Zaharia, Gentian Zenelaj, Rudina Dembacaj, Alesia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Katerina Fili.
Farsa klasike e shkruar nga dramaturgu francez Marc Camoletti në vitin 1960, arriti të rrëmbejë dy çmime, Tony Aëard në 2008 në Broadëay dhe çmimin Revival Edition, po atë vit. Komedia “Boeing Boeing” është një shfaqje teatrore e rajonit Durrës – Lezhë dhe me shumë sukses është dhënë më parë në sallat e teatrove në Durrës, Elbasan, Fier, Tiranë, Shkodër dhe Korçë. Vepra vjen e përkthyer në shqip mjeshtërisht nga Nasi Lera. Shfaqja teatrore mban firmën e regjisë nga Kiço Londo. Ngjarjet në komedinë “Boeing Boeing” ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe.
Tri stjuardesa njëra më e bukur se tjetra, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dalë nga situata falë mikut të tij, Robert.
Teatri për fëmijë
Teatri Shëtitës për fëmijë nisi udhëtimin me premierën e re “Aladdin” disa ditë më parë në Tiranë. Por të hënën në datë 24 maj, paradite në oraret 10.00 dhe 11.00 muzikali “Aladdin” do të jetë për spektatorët e vegjël të qytetit të Pukës. Shfaqja është me regji nga Kesina Lami. Në role janë aktorët Anxhela Gaxhazi, Altea Alushi, Elios Shuli dhe Dario Zela. Kostumografe Ledia Huta dhe tekstet e këngëve Elios Shuli. Ngjarjet në shfaqje tregojnë për Aladdinin, djali i cili vidhte për të mbijetuar takohet në qytet me vajzën më të bukur që kishte parë. Pasi vajza ikën ai kupton që ishte princeshë Xhasmin. Por dashuria midis tyre ishte e pamundur për shkak të pozicioneve shoqërore. Teksa Aladdin vidhte kudo nëpër qytet në një sunduk të vjetër ai gjen një llampë.
Ajo ishte llampa magjike, që vetëm një shpirt i pastër mund ta gjente. Xhindi del nga llampa dhe prezantohet me Aladdin, ishte në shërbimin e tij për ti plotësuar 3 dëshira. Dëshira e tij e parë ishte të bëhej një princ për ti propozuar princeshës Xhasmin. Problemi që Aladdini hasi pas kësaj ishte magjistari Xhafar, këshilltari i babait të Xhasmin. Xhafari kur mori vesh që llampa është gjetur bëri plane për t’ia vjedhur. Ai donte me çdo kusht të martohej me Xhasmin dhe të sundonte vendin. Konflikti i personazheve ndodh në këtë pikë kur Xhafari vendos për ti rrëmbyer llampën Aladdinit. Magjistari Xhafar arrin t’ia vjedhë dhe të bëhet magjistari më i keq i të gjitha kohërave. Por Aladdini një djalë shumë i zgjuar e bind Xhafarin të bëhet xhind, duke e futur në llampën magjike të së keqes dhe e hedh në fund të oqeanit. Dashuria dhe pastërtia e Aladdinit dhe Xhasminës mbizotëron mbi ligësinë e Xhafarit.