Incidente në Durrës/ Bylykbashi dhe Malltezi: Militantë të PS dhe punonjës bashkie po bëjnë presione
Situata në Durrës është e acaruar mes kundërshtarëve në zgjedhje. Oerd Bylykbashi, Jamarbër Malltezi dhe kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” për kryebashkiak Ardian Muka, denoncuan parregullësi në procesin e votimit. Sipas tyre ka presione nga militantë të PS, administrata dhe policia e Bashkisë.
“Vendvotimi i mbushur me punonjës të administratës të PS, punonjës të policisë bashkiake, me militantë, një situatë që cënon dhe intimidon të drejtën e zgjedhësve për të votuar të lirë. E papranueshme që të njëjtët persona arrijnë të largojnë edhe vëzhguesit e akredituar nga KZAZ të “Shtëpisë së Lirisë”.
Nuk është vetëm ky vendvotim në Spitallë, edhe te shkolla “Demokracia” një situatë e papranueshme e konstatuar edhe nga vazhduesit ndërkombëtarë. Të gjithë korridoret janë të mbushura me militantë dhe punonjës të policisë bashkiake.
E kuptoj që PS është në situatë të tensionuar se janë pranë humbjes së pushtetit në Durrës”,-tha Oerd Bylykbashi.