Incidenti diplomatik, flet ministri: Kosova s’mund të përfaqësohet më nën siglën e UNMIK
Tensionet Kosovë-Serbi zbarkojnë në Tiranë. Një incident diplomatik i regjistruar paraditen e sotme ka shtyrë për disa orë konferencën mbi Klimën në Ballkanin Perëndimor.
Delegacioni serb nuk ka pranuar të ulen në të njëjtën tryezë me homologët nga Kosova.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, u shpreh se Kosova nuk mund të përfaqësohet më nën siglën e UNMIK.
Matoshi: Ajo që ndodhi lidhet me rregullat strikte të përcaktuara të Kombeve të Bashkuara që kërkojnë që Kosova dhe më tutje të jetë e përfaqësuar nën siglën e UNMIK-ut ose të përfaqësohet nga persona të qeverisë së Kosovës por të shoqëruar nga zyrtarë të UNMIK-ut që për Kosovën është e papranueshme dhe nuk do të ndodhë më asnjëherë. Konferenca tani do të zhvillohet në nivel teknik.Megjithatë ne e shfrytëzuam këtë mundësi për të takuar të gjithë donatorët.Askush nuk duhet të ëndërrojë që do të ketë një mjedis të pastër, të mirë dhe të pranuEshëm në Ballkanin Perëndimor nëse ka ëndrra të tilla që një vend mund të përjashtohet nga projektet dhe tryezat e përbashkëta.
Ndërsa Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, tha se ky ishte një aktivitet i organizuar nga Kombet e Bashkuara dhe Shqipëria si vend pritës kishte ftuar dhe Kosovën.
Klosi: Është një aktivitet i organizuar nga Kombet e Bashkuara, nën rregullat e Kombeve të Bashkuara. Si vend mikpritës i aktivitetit unë ftova Ministrin Matoshi.Rregullat e Kombeve të Bashkuara janë të përcaktuara dhe jashtë kompetencave tona si Ministra.Sot patëm pozitivitet real pasi Kombet e Bashkuara dhe të gjithë donatorët e pranuan Kosovën si pjesë e kësaj tryeze. Ne bëmë ftesën sepse për ne ishte e palogjikshme të organizohej një aktivitet për rajonin dhe Kosova të mos ishte pjesë e këtij diskutimi.Patëm një dakordësi me Kombet e Bashkuara dhe Serbinë lidhur me zhvillimin e aktivitetit, prezencës së Kosovës si i ftuar special. Nuk u pranua nga organizatorët prezenca me të drejta të plota e Kosovës si folës dhe si prezencë në tavolinë e Kombeve të Bashkuara. Mosprezenca e Minsitrit, pasi delegacioni kosovar është aty, më detyroi dhe mua, patëm dy orë negociata me ta.Konferenca po zhvillohet.
Konferenca Ministeriale për Rajonin dhe Ballkanin Perëndimor me titull “Aksioni Rajonal mbi Klimën në Ballkanin Perëndimor” po mbahet në Tiranë, me pjesëmarrje të ministrit të Mjedisit Blendi Klosi, ministrit të Kosovës, ministrit serb, zv.ministrit të Malit të Zi, përfaqësues të lartë përgjegjës për mjedisin dhe klimën në rajon, si dhe donatorë.
KOHA JONË SONDAZH

