Indeks matës për kënaqshmërinë e pacientëve, Manastirliu: Forcojmë mbrojtjen e shëndetit publik
Realizohet studimi i parë mbi matjen e kënaqshmërisë së pacientëve në shërbimin shëndetësor parësor. Studimi u prezantua në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me pjesëmarrjen e Ministres Ogerta Manastirliu dhe Ministres për Standardet dhe Shërbimet Milva Ekonomi.
Duke folur për indeksin e kënaqshmërisë së pacientëve, Ministrja Manastirliu tha: “Qytetari është në qendër të të gjithë strategjisë së zhvillimit të kujdesit shëndetësor. Në duam që përpos faktit që drejt mbulimit shëndetësor universal ne kemi objektiva në lidhje me aksesin në shërbim, në lidhje me cilësinë në shërbime, të kemi dhe aspektin tjetër që lidhet me sa mirë ndihen qytetarët nga shërbimet që ata marrin në strukturat tona të shëndetësisë, qofshin në parësor, qofshin edhe në spitalor.
E filluam me kujdesin parësor sepse është porta e parë e shërbimit dhe në fakt është ruajtësi i shëndetit. Unë jam e kënaqur që ne kemi arritur sot të kemi këtë indeks të parë të kënaqshmërisë të pacientëve në shërbimin e kujdesit parësor në Shqipëri dhe indikatorët janë pozitivë. Qytetarët janë të kënaqur nga shërbimet në kujdesin parësor, sepse, nëse do të ktheheshim do të bënim krahasim me disa vite më parë, ka patur mangësi në infrastrukturën e vetë qendrave shëndetësore. Sepse ato kanë qenë të pa investuara, nga pikëpamja infrastrukturore por mbi të gjitha të pa investuara nga pikëpamja e shërbimeve dhe programeve të parandalimit për sëmundjet”, tha Manastirliu.
Duke u ndalur tek programet në qendrat e kujdesit parësor, Ministrja Manastirliu u shpreh:
“Sot, pas rreth 5-6 vitesh ne mund të themi që kemi tashmë një shërbim shumë të më mirë strukturuar të shërbimeve të kujdesit parandalues. Nëpërmjet programit të kontrollit mjekësor bazë garantojmë analizat bazë një herë në vit falas për të gjithë këta qytetarët 35-70 vjeç, me një target kryesor prej 475 mijë qytetarësh që përfitojnë çdo vit falas këtë paketë të analizave. Kemi zgjeruar programin tonë të vaksinimit për fëmijët, duke shtuar vaksinën e rotavirusit por tashmë duke vijuar prej këtij muaji edhe me përfshirjen në kalendar të vaksinës së human papiloma virusit”.
Ministrja Manastirliu foli gjithashtu për procesin e vaksinimit anticovid.
“Ne kemi bërë të mundur në marrëveshjen me kompaninë Pfizer që të kemi dhe vaksina të adaptuara. Dhe tashmë kanë mbërritur të gjitha sasitë të cilat sipas kontratës, janë mbi 600 mijë vaksina që kanë mbërritur këto ditë të vaksinës së adaptuar anticovid. Dhe çdo qytetar e ka të garantuar vaksinën booster, pra vaksinën përforcuese në qendrën shëndetësore të tij”-tha Manastirliu.
Në fund të fjalës së saj Ministrja Manastirliu foli edhe për vijimin e planit për rehabilitimin e qendrave shëndetësore në të gjithë vendin, duke rehabilituar edhe 60 qendra të tjera shëndetësore me buxhetin e vitit 2023.
Ministrja Milva Ekonomi u shpreh: “Është e rëndësishme që ka filluar një proces i tillë i vrojtimit të kënaqshmërisë së pacientëve, për sistemin vetë, për të përmirësuar punën e përditshme, për të parë edhe shkallën e mbulimit shëndetësor në popullatë por edhe për kostot e shërbimeve në mënyrë që të rritet efikasiteti i shërbimit ndaj pacientit”.
Përcaktimi i indeksit të kënaqshmërisë së pacientit është objekti i studimit të kryer nga projekti “Shëndet për të Gjithë” për shërbimet e ofruara në sistemin e kujdesit shëndetësor parësor. Gjatë muajve Korrik-Nëntor 2022, 1500 qytetarë nga 54 qendra shëndetësore morën pjesë në këtë studim.
91% e të anketuarve janë shprehur si të kënaqur me shërbimin në kujdesin parësor. Ndërsa përsa i përket kënaqshmërisë nga shërbimi i urgjencës në kujdesin shëndetësor parësor, 93% e të anketuarve u shprehën të kënaqur. Ndërkaq, 95% e të anketuarve u shprehen të kënaqur me shërbimin e dhënë nga stafi mjekësor. Në raport me aksesueshmërinë e infrastrukturave të kujdesit parësor, 89% shprehën kënaqshmëri me afërsinë gjeografike të qendrave shëndetësore. Ndërkohë, kur janë pyetur për aksesin e vaksinës kundër COVID-19, 97% e të anketuarve janë shprehur të kënaqur nga aksesi në vaksinë. Si përfundim nëpërmjet anketës, pjesëmarrësit u pyetën mbi kënaqshmërinë ndaj vlerës së kontrollit mjekësor bazë dhe rekomandimit për vazhdimësinë, për të cilën 97% u shprehën të kënaqur nga ky shërbim.