Inflacioni sërish në rënie – Zbriti në 1.3% për muajin shtator

Inflacioni ra përsëri në muajin shtator, duke zhgënjyer sërish pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë për një rritje graduale në gjysmën e dytë të vitit. Sipas Instat, rritja vjetore e çmimeve për muajin e kaluar, ishte 1.3%, nga 1.4% që kishte qenë për gushtin. Rënia për të dytin muaj radhazi e çon inflacionin akoma më larg objektivit prej 3% të Bankës Qendrore.

Rënia e inflacionit gjatë muajit gusht u përcaktua sidomos nga grupet “Transporti” dhe “Argëtim e kulturë”, ndërsa shumica e grupeve të tjera u shfaqën të qëndrueshme, me luhatje minimale të ndryshimit vjetor të çmimeve.

Kontributin më të madh në inflacion vazhdon ta japë grupi me peshën kryesore në shportë, ai i produkteve ushqimore. Inflacioni i këtij grupi u rrit lehtë në 2.5%, nga 2.4% që kishte qenë në muajin gusht. Produktet ushqimore me rritjen më të lartë çmimeve ngelet frutat dhe perimet, megjithatë, përmasa e shtrenjtimit të këtyre produkteve ka ardhur në rënie që nga fillimi i vitit.

Niveli i ulët i inflacionit e ka vendosur Bankën e Shqipërisë para dilemës për të reaguar ose jo me një rritje të mëtejshme të stimulit monetar. Në mbledhjen e këtij muaji, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mos ndërhyjë dhe e mbajti normën bazë në 1%, të paktën deri në mbledhjen e ardhshme, të datës 6 nëntor.

Por, edhe në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës përsëriti se rreziqet janë forcuar më tej dhe burojnë si nga ambienti i jashtëm, ku ekonomia e Eurozonës shfaqet në ngadalësim, ashtu dhe nga ai i brendshëm, ku tensioni politik vazhdon të përcjellë pasiguri. Këshilli Mbikëqyrës paralajmëroi se materializimi i goditjeve të rrezikut mund të kërkojë një rishikim në kahun lehtësues të qëndrimit të politikës monetare.

Inflacioni ende në rënie dhe rritja e dobët ekonomike e bëjnë mjaft të mundshme një ulje të mëtejshme të normës bazë, megjithëse Banka e Shqipërisë ngelet e mendimit se goditjet e këtij viti lidhen me faktorë të përkohshëm.

Banka Qendrore kishte arritur në konkluzionin se inflacioni i ulët në gjysmën e parë të vitit i detyrohej kryesisht mbi çmimit të lekut në kursin e këmbimit me euron. Parashikohej që ky efekt të dobësohej gradualisht në gjysmën e dytë të vitit, por, të paktën për tremujorin e tretë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Mbështetur në projeksionin e fundit, Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2021.

SCAN

SHKARKO APP