Informacion nga ARSH për kalueshmërinë e akseve rrugore
Reshjet e borës kanë përfshirë disa zona në veri të vendit. Bora ka arritur trashësinë 8 cm, duke zbardhur qytetin e Kukësit dhe fshatrat. Në rrugët rurale ka vështirësi në qarkullim dhe nevojiten zinxhirë për lëvizjen e mjeteve. Ndërkohë në Rrugën e Kombit lëvizja kryhet pa probleme. Reshje kanë rënë edhe në Bajram Curri dhe Dibër. Reshjet e borës vijojnë edhe gjatë ditës së sotme por me intensitet më të ulët. Ndërkohë, në zonat e ulta vendi është përfshirë nga reshjet.
Informacion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për kalueshmërinë e akseve rrugore:
Në Rajonin Verior
Në akset e Tropojës ka pasur rreth 15 cm reshje dëbore. Kontraktorët kanë bërë pastrimin dhe kriposjen dhe situata e qarkullimit paraqitet pa probleme. Edhe në akset e Kukësit trashësia e dëborës është 5 cm dhe vazhdon të bjerë. Në akset e Dibrës ka patur reshje dëbore me intensitet të ulët. Në aksin Peshkopi – Qafë Drajë, qarkullimi është pa probleme, pasi kontraktori ka bërë pastrimin dhe kriposjen. Edhe në aksin Qafë Mali-Fierzë ka rënë rreth 20 cm borë. Momentalisht, po punohet për pastrimin dhe kriposjen e aksit.
Përgjatë natës e në vazhdim ka pasur reshje dëbore në segmentin Pukë-Fushë Arrës-Fushë Dukagjin (Kukës). Mjetet borëpastruese janë në punë që nga ora 01:00 e natës. Në asnjë moment nuk ka pasur bllokim të qarkullimit të mjeteve dhe rruga po mbahet nën trajtim të vazhdueshëm për të mos lejuar bllokime eventuale. Në segmentet e tjera ka pasur vetëm reshje shiu dhe nuk ka pasur probleme për sa i përket qarkullimit të automjeteve në këto akse. Qarkullimi në të gjitha akset e Rajonit Verior bëhet pa zinxhirë.
Përgjatë natës ka pasur reshje të dobëta bore në segmentin Bulqizë-Peshkopi. Mjetet borëpastruese kanë qenë në gadishmëri dhe kanë filluar punën për pastrimin e rrugëve. Në asnjë moment nuk ka pasur bllokim të qarkullimit të mjeteve. Gjatë ditëve të fundit ka pasur rënie gurësh në zonën e Shkopetit dhe nga kompania janë marrë masa për pastrimin e tyre.
Në Rajonin Qendror
Ka reshje shiu në të gjithë Rajonin. Në aksin Librazhd – Stebleve, ka pasur rreth 5 cm reshje dëbore por që ka shkrirë me fillimin e reshjeve të shiut në mëngjes. Situata e qarkullimit paraqitet pa probleme.
Në Rajonin Jugor
Në Dardhë dhe në Voskopojë, ka pasur rreshje dëbore me intensitet të ulët. Kontraktorët kanë bërë pastrimin dhe kriposjen e akseve. Qarkullimi kryhet pa probleme. Edhe ne akset e tjera të këtij Rajoni nuk ka probleme për qarkullimin.
KOHA JONË SONDAZH

