Informaliteti/Aksioni i tatimorëve kalon tek punonjësit dhe pagat

Pas aksioneve në plazhet e vendit gjatë sezonit veror, lufta kundër informalitetit do të fokusohet edhe tek pagat. Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj thotë se janë identifikuar 7200 kompani që nëndeklarojnë rrogat e punonjësve.

Në total, janë 13400 individë të identifikuar si të nënpaguar në bazë të profesioneve të tyre. Përpara se të nisin kontrollet, Tatimet kanë dërguar fillimisht letra sensibilizuese ndaj bizneseve dhe vetë individëve që preken në të ardhmen nga vlera më e ulët e pensionit.

”Ka inxhinierë dhe ekonomistë që ne supozojmë se paguhen më pak sesa deklarimet e tyre. Janë njoftuar me letra dhe do të kontrollojmë nga më të mëdhenjtë te më të vegjlit, në mënyrë që kjo dukuri shqetësuese të zhduket”. Sa i takon kontrolleve për deklarimin e punonjësve, drejtoresha e Tatimeve shpjegoi se si po zhvillohen inspektimet: ”Do të verifikohen të gjithë subjektet të cilët janë pa të punësuar dhe me 1-10 persona të punësuar. Kjo nuk do të thotë që punësimet nuk do të kontrollohen edhe subjektet e tjera”.

Plani operacional kundër informalitetit njëkohësisht është shtrirë edhe në deklarimin e xhiros së kompanive për të ulur evazionin, ku do të ndihmojë nga prilli edhe procesi i fiskalizimit.

Bilanci i aksionit në verë

Në shkallë vendi janë ushtruar kontrolle në 1,764 subjekte të ndryshme, ndër to 892 shërbime vend-pushimesh, 703 lokale në bregdet, 321 hotele, 8 subjekte karburesh, 55 ndërtime pa leje, 59 raste për territore të pushtuara dhe në 309 subjekte të tjera. Në Tiranë janë kontrolluar 181 subjekte, janë vendosur 25 gjoba, 2 bllokim aktiviteti, 46 persona janë proceduar penalisht, 31 u arrestuan. Në Durrës janë kontrolluar 324 subjekte dhe janë vendosur 63 gjoba, 14 bllokim aktiviteti dhe 40 janë proceduar penalisht. Në Berat janë kontrolluar 44 subjekte, 18 nga të cilat për aktivitetin e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit në Malin e Tomorrit, të cilëve ju është bllokuar aktiviteti, 14 raste të subjekteve të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit janë referuar për ndjekje penale për “fshehje të ardhurash”.

Në Fier janë kontrolluar 254 subjekte dhe janë vendosur 26 gjoba, 2 bllokim aktivitet, 7 janë proceduar penalisht dhe 1 u arrestua. Në Vlorë janë kontrolluar 343 subjekte dhe janë vendosur 28 gjoba, 6 bllokim aktiviteti, 54 janë proceduar penalisht. Në Gjirokastër janë kontrolluar 26 subjekte dhe janë vendosur 8 gjoba, 7 bllokim aktiviteti, 8 u proceduan penalisht. Në Korçë janë kontrolluar 108 subjekte dhe janë vendosur 3 gjoba, 4 bllokim aktiviteti dhe 28 u proceduan penalisht. Në Elbasan janë kontrolluar 42 subjekte, nga këto 26 u proceduar penalisht. Në Kukës janë kontrolluar 19 subjekte nga këto 2 u proceduan penalisht. Në Dibër janë kontrolluar 159 subjekte dhe janë vendosur 4 gjoba, 4 bllokim aktiviteti dhe 9 u proceduan penalisht. Në Shkodër janë kontrolluar 95 subjekte nga këto 5 bllokim aktiviteti, 70 janë proceduar penalisht, 5 shtetas arrestuar dhe ndaluar. Në Lezhë janë kontrolluar 169 subjekte dhe janë vendosur 12 gjoba, 10 bllokim aktiviteti dhe 44 proceduar penalisht, 2 persona të arrestuar.

Në kuadër të goditjes së aktivitetit të paligjshëm të subjekteve që ushtronin aktivitet biznesi të shërbimit pa leje dhe lirimin hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin në zona bregdetare, në shkallë vendi: Janë liruar 55 hapësira publike me sipërfaqe totale rreth 40 mijë m²; 62 subjekte janë proceduar penalisht; mbi 6,700 shezllone dhe 3,200 çadra janë sekuestruar.

SHKARKO APP