Informaliteti/Aksioni vazhdon tek pijet alkoolike, kafetë dhe cigaret
Lufta kundër informalitetit është zhvendosur tashmë në fushën e cigareve, duhanit, pijeve alkolike dhe produkteve të akcizës. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta është shprehur për ”RTSh” se gjithsesi kontrollet kundër informalitetit në fushën e hidrokarbureve do të vijojnë.
Drejtori i Doganave thotë se informaliteti në mënyrë ciklike mund të tkurret apo të rigjallërohet por është ende prezent në ekonomi, ndaj duhet luftuar. Për çdo rast me shkelje, sipas Gjokutës, nuk është vetëm subjekti ai që penalizohet por edhe të gjithë personat përgjegjës brenda administratës doganore që rezultojnë me shkelje.
”Kemi nisur një kontroll sektorial për tregtimin dhe prodhimin e karburanteve nga momenti i shitjes me shumicë dhe importit deri në shitjen me pakicë drejt konsumatorit final. Kjo analizë ka dashur kohën e vet, ndaj dhe kemi pasur kujdes të mos përmendim emra, sepse është proces që zgjat dhe çdo subjekt ka të drejtën e apelimit. Me mbylljen e gjithë kontrollit, javën e ardhshme bashkë me Ministrinë e Financave, do të japim gjetjet kryesore duke përmendur edhe secilin nga operatorët që janë gjetur me shkelje dhe penalitetin përkatës. Në gjykimin e administratës tatimore 3 janë elementët kryesorë në luftën kundër informalitetit: integriteti i punonjësve, niveli i trajnimit apo edukimit të tyre dhe politikat motivuese apo ndëshkuese që vetë institucioni aplikon ndaj tyre. Kemi shumë raste procesesh disiplinore të nisura dhe janë marrë masa deri në largim nga detyra të çdo inspektori apo doganieri që ka rezultuar i përfshirë apo nuk ka reaguar në mbikëqyrjen e subjekteve që ka pasur nën vëzhgim”.
Kreu i administratës doganore, shtoi se ligji i akcizës parashikon penalitete shumë të forta në raste shkeljesh. ”Ligji i akcizës parashikon që në rast evidentimi shkeljesh, përveç vlerës së evidentuar të munguar në buxhetin e shtetit të aplikohet edhe një penalitet që mund të shkojë nga 1 në 5-fish të detyrimit të munguar në varësi të rastit dhe përsëritjes së rastit”.
KOHA JONË SONDAZH

