Informaliteti, Denaj: Ja shkelësit më të mëdhenj! Zero tolerancë
Aksioni kundër informalitetit vijon në gjithë vendin, duke ndëshkuar me gjobë dhe bllokuar të gjitha subjektet që nuk lëshojnë kuponin tatimor dhe abuzojnë me ligjin.
Ministrja e Financave, Anila Denaj, dhe drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, kanë zbardhur detaje nga aksioni, duke theksuar se abuzimet më të mëdha bëhen te produktet e akcizës, pijet alkoolike dhe karburantet, ndërsa edhe ndërtimi është një sektor me risk.
“Jemi të fokusuar më shumë te produktet e akcizës, pijet alkoolike, si dhe po monitorohet cilësia e karburantit. Gjithashtu, është evidentuar ndërtimi si sektor me risk”, ka thënë ministrja Denaj.
Ndërsa, drejtoresha e Tatimeve është shprehur se aksioni do të vazhdojë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në muajin gusht.
“Janë konstatuar mbi 1 mijë shkelje për mosregjistrim të punonjësve, shkelje për moslëshim të kuponit tatimor. Ju bëjmë thirrje të gjithë subjekteve, që të gjithë do të inspektohen, ilegaliteti nuk do të lejohet më. Do vazhdojmë të jemi në terren jo vetëm në muajin gusht, por gjatë gjithë vitit, në mënyrë që të gjitha subjektet të paguajnë detyrimet. Problematika kryesore është moslëshimi i kuponit tatimor. Subjektet duhet të paguajnë të gjitha detyrimet e tyre. Ne nuk do të lejojmë konkurrencën e padrejtë, do bëjmë të mundur që të gjithë të respektojnë rregullat e shtetit”, ka deklaruar Ibrahimaj.
Denaj: Kërkesa për lëshim të kuponit ka filluar të rritet. Subjektet jo vetëm që nuk fillojnë ta zbatojnë ligjin, por shkojnë më tej dhe kërcënojnë punonjësit, sidomos ata që kanë evidentuar shkelje. Në këto raste ne kemi lajmëruar policinë. Nëse pas heqjes së shiritit, subjekti vijon punën, ne jemi aty për të shtuar koston. Jemi shumë afër finalizimit dhe nxjerrjes brenda javës së parë të shtatorit të hapave të aksionit. Gjykatësit duhet të respektojnë ligjin dhe të mos flasin në favor të biznesit pa faktuar atë që thotë administrata tatimore, të mendojnë dy herë kur të shkelin ligjin. Pasi na ka ndodhur që ne e kemi ndëshkuar subjektin dhe gjykatësit kanë vendosur të kundërtën.
Ibrahimaj: Po ndërmerren vizita fiskale te hidrokarburet, tatimet dhe ndërtimet. Do ju bëjmë me dije për të gjitha shkeljet që do konstatohen. Ilegaliteti nuk është vetëm në sektorin e shërbimeve, por edhe në sektorë të tjerë.
Denaj: Do shkojmë aty ku shkeljet janë më të mëdha. Ky proces kërkon qasje proaktive në të gjitha sektorët. Ky proces do sjellë marrëdhëniet me konsumatorin më afër në një marrëdhënie më të sinqertë.