Informaliteti në punësim, në dhjetor nisin kontrollet

Administrata tatimore paralajmëroi se fokusi i kontrolleve kundër informalitetit në tregun e punës do të jenë tre sektorët që janë dhe punëdhënësit më të mëdhenj të ekonomisë shqiptare. Sipas tatimeve, gjatë muajit dhjetor, të gjitha bizneset call center, ato të ndërtimit dhe industria e fasonit do të kalojnë në sitë, ku do të verifikohet regjistrimi i punonjësve dhe deklarimi i pagave.

Gjatë këtij muaji, kontrollet e administratës kanë zbuluar mbi 7200 biznese në rang vendi të cilat kanë punonjës të paregjistruar ose nuk deklarojnë pagat e tyre reale duke fshehur kështu jo vetëm tatimin mbi të ardhurat, por edhe kontributet e sigurimeve për pension. Administrata tatimore beson se informaliteti i punës është edhe më i madh në sektorët e ndërtimit, fasonit dhe call centerave. Këto tre sektorë së bashku vlerësohet se japin më shumë se gjysmën e të punësuarve në ekonominë shqiptare duke përjashtuar fermerët. Ndaj gjatë muajit të ardhshëm të gjitha ndërmarrjet e ndërtimit, call centerave dhe fasoneritë do të kontrollohen në terren.

Sipas tatimeve, veç informalitetit në tregun e punës, në fokus të kontrolleve do të jenë edhe bizneset që realizojnë xhiro të mëdha, por rezultojnë të kenë taksa apo detyrime të papaguara në shtet. Sipas Kontrollit të lartë të shtetit në fund të vitit të kaluar rezultojnë mbi 145 mijë subjekte me detyrime të papaguara në shtet, borxhi i të cilave llogaritet në gati 1.1 miliardë dollarë, duke përfshirë detyrimet e papaguara por edhe penalitetet që vendosen mbi to.

SHKARKO APP