Institucionet e pavarura, Spiropali: Zbatim i plotë i rekomandimeve
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali ka garantuar institucionet e pavarura në plotësimin e rekomandimeve të tyre, si dhe ka theksuar se do caktohet një koordinator për çdo ministri për të ngritur një rrjet koordinimi për të bërë pastaj raportimin e zbatueshmërisë pranë Ministrisë për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Spiropali tha se takimi me institucionet e pavarura bëhet në kuadër të procesit të integrimit në BE dhe të plotësimit të detyrimeve.
“Në këtë takim ne patëm një diskutim të frytshëm mbi nevojat e ndërsjella, por dhe mbi detyrimet tona si ekzekutiv. Drejtuesit e institucioneve të pavarura shprehën disa shqetësime që ato kanë në raport me kryerjen e funksionit të tyre, problematika që kanë të bëjnë kryesisht më buxhetin, ligjin, standardizimin. Ne i kemi grupuar problematikat pasi i kemi marrë edhe me shkrim nga institucionet dhe kemi përgatitur disa rekomandime kryesisht për ekzekutivin, për mënyrën se si duhet t’i qasim institucionet e pavarura edhe në respekt të rekomandimeve të tyre por edhe për të plotësuar disa nevoja siç u tha nga zonja Sula, që për çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e tyre dhe janë kërkesa bazike duhet që të përgjigjemi në mënyrë që këto institucione të kenë mundësi të kryejnë funksionet e tyre”, – tha ajo.
Po ashtu, Spiropali tha se rekomandimet janë zbatuar në masën 50% dhe vazhdon procesi i plotësimit të shumicës së rekomandimeve.
“Dua të them se në kuadër të monitorimit dhe të instrumentit që Parlamenti ka ngritur ne u kemi bërë kërkesë të gjitha ministrive dhe institucioneve që të kthejnë përgjigje brenda datës 15 prill për të gjitha rekomandimet e institucioneve të pavarura dhe deri më tani nga informacionet që kemi mbledhur na rezulton se më pak se 50% janë zbatuar deri më tani. Nuk është një shifër e kënaqshme për ne pasi kemi synim që të gjitha rekomandimet t’i plotësojmë”, – shtoi ajo.
Gjithashtu Spiropali bëri një analizë të detajuar përsa i përket zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura.
“Konkretisht, nga analiza për disa nga informacionet që ne kemi marrë tani, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ka dhënë 16 rekomandime për institucionet e Administratës Shtetërore për periudhën janar-dhjetor 2018, nga të cilat 15 raste janë realizuar plotësisht, ndërsa një rast është në kërkim të procesit dhe i mbartur, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Paraprake për vitin 2019 ka dhënë 29 rekomandime nga të cilat 8 kontrollues publik dhe 21 për kontrollues provash dhe procesi i verifikimit të këtyre rekomandimeve pritet të realizohet brenda prillit, Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë 5 rekomandime nga të cilat vetëm njëri është zbatuar plotësisht dhe rekomandimi që i është drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është zbatuar pjesërisht për shkak se në disa prej pikave në rekomandim nuk është shtuar ende në raportin e tyre”, – tha ajo.
Në vijim Spiropali, solli rastet e rekomandimeve të institucioneve të tjera që janë zbatuar plotësisht apo janë në proces.
“Institucioni i Avokatit të Popullit gjatë vitit 2018 ka adresuar në total 171 rekomandime, drejtuar organeve të Administratës Publike dhe nga këto 141 rekomandime janë adresuar Administratës Publike. 16 rekomandime të tjera që i janë drejtuar ministrive janë refuzuar dhe 51 rekomandime rezultojnë të jenë në proces dhe janë pranuar tërësisht. Ne jemi duke parë me vëmendje dhe presim raportimin e plotë të këtyre ministrive dhe institucionet e varësisë në raport me rekomandimet. Sigurisht ka dhe vend për diskutim për disa rekomandime por është pjesë e marrëdhënieve mes institucioneve. Me zbatimin e masave të rekomanduara nga KLSH gjatë auditiveve përgjatë viteve 2017 dhe 2018 janë rekomanduar 200 masa ku janë pranuar 195 masa”, – tha ministrja.
Në vijim, Spiropali tha se mekanizmi i ngritur nga Kuvendi do respektohet plotësisht nga ekzekutivi.
“Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në zbatim të vendimit të Kuvendit për miratimin e manualit të monitorimit vjetor dhe periodik jo vetëm u ka nisur shkresë institucioneve, por ka ngritur disa herë çështjen në Këshillin e Ministrave dhe të jeni të sigurt se ky mekanizëm i ri i ngritur nga Kuvendi do respektohet plotësisht nga ekzekutivi dhe shihet si një mënyrë e mirë për të koordinuar punët”, – tha Spiropali.
Në fund, Spiropali njoftoi se do të caktojmë koordinator në çdo ministri për të raportuar zbatueshmërinë e rekomandimeve për institucionet e pavarura.
“Vendimi i Kuvendit në lidhje më këtë detyrë sigurisht ka pasur në dispozicion një kohë të shkurtër për mbledhjen e informacionit por gjithsesi në mënyrë që këtë raportim ta bëjmë më periodik dhe në mënyrë të rregullt ne në bashkëpunim me Ministritë do caktojmë një koordinator për çdo Ministri për të ngritur një rrjet koordinimi e për të bërë pastër raportimin e zbatueshmërisë pranë Ministrisë për Marrëdhëniet me Parlamentin”, – theksoi ajo. /ATA
KOHA JONË SONDAZH

