Institucionet e ”Vettingu-t dhe ”korruptimi” prej tyre i legjislacionit të Rivlerësimit

Institucionet e ”Vettingu-t dhe ”korruptimi” prej tyre i legjislacionit të Rivlerësimit.

         Nga   Gurali Brahimllari, magjistrat, ish Gjyqtar i Apelit për Krime të Rënda

Procesi i rivlerësimit kalimtar të magjistratëve, përpos “sukseseve të vazhdueshme”  për largimin masiv të magjistratëve nga detyra, kohët e fundit ka marrë vemendje edhe për shkak të debateve për zgjatjen e afatave kushtetuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Duke u ndalur tek përmbajtja e  Relacionit të depozituar në datën 15/10/2021,   ndër të tjera konstatohet se nisma justifikohet edhe me pretendimin se  “Këshillave dhe SPAK, u mungon përvoja përkatëse në procesin e rivlerësimit, do duhet të familjarizohen me këtë proces për konsolidimin e procedurave dhe garantimin e një procesi të rregullt ligjor.Në këto kushte ekziston rreziku i krijimt të mospërputhjeve, pra standardeve të ndryshme vlerësimi, për vlerësime të ndryshme .

Swiss Digital Desktop Reklama

Kushdo që ka ndjekur sadopak procesin e rivlerësimit, e kupton se nënshkruesit e Relacionit po përpiqen të shesin “sapunin për djathë”, pasi tashme ajo që ka karekterizuar vendimmarrjen, thuajse tërësore të KPK, ka qenë mungesa skandaloze e profesionalizmit, zbatimi i legjislacionit të rivlerësimit, në kundërhstim me përmajtjes reale të disa prej dispozitave thelbësore të tij, shoqëruar me aplikimin e standardeve të shumfishta, për raste, apo problematika të ngjashme të të vetuarve.  Këto shkelje të KPK-së ndaj ligjit dhe kushtetutës, tashmë po aplikohen edhe nga anëtarët e KPA-së, për të cilët vlen kuptimi të fjalës së urtë popullore “shih rrushi, rrushin dhe nxiu”.

Swiss Digital Mobile Reklama

I bindur se procesi i rivlerësimit po vijon të zhvillohet në kundërshtim me përmbajtjen e dispozitave të legjislacionit të Vettingut dhe parimeve të procesit të rregullt ligjor, jam shprehur publikisht edhe më pare (22 Tetor 2019 dhe 5 shkurt 2021, gazetat “Koha Jonë”, “Panorama” “Shekulli” dhe disa media elektronike si “Ballkan Web” etj). Ndërsa shkeljet e KPK-së në procesin tim të rivlerësimit, i kam bërë prezent edhe përpara ONM dhe organizmave ndërkombëtar.  Ndonëse përgjigje nuk mora kurrë, dhe tashmë për interesat e mija personale nuk ka më rëndësi mënyra se si do të vijojë të zhvillohet ky proces, përsëri, ndërgjegja juridike, përvoja e gjatë në sistemin e drejtësisë si dhe pasioni dhe përkushtimi që kam patur për detyrën e nderuar të Gjykatësit, më nxisin që të mos hesht.

Është e ditur se rikthimi i  besimit të publikut tek drejtësia, pritej të realizohej nepërmjet largimit nga sistemi i gjyqtarëve dhe prokurorëve  ”qartësisht të korruptuar”,   prandaj u pranua natyra sui generis  e legjisalcionit të Vettingut.  Edhe GJEDNJ në çështjen Xhoxhaj, evidentoi se ky legjisalcioni “.. është miratuar në përgjigje të pranisë së perceptuar të përhapur të korrupsionit në sistemin e drejtësisë në mënyrë që të largojë elementet e korruptuara dhe të ruajë pjesën e shëndetshme të sistemit’.         

Në të kundërt të këtyre parashikimeve dhe synimeve të Reformës, një pjesë e konsiderueshme e vendimeve të Institucioneve të Vettingut, kanë larguar pa të drejtë edhe disa magjistratë për të cilët nuk ka patur asnjë indicje për sjellje devijante me funksionin, por janë larguar nga sistemi për shkak se Anëtarët e Institucioneve të Rivlerësimit, nuk kanë zbatuar vullnetin  parlamentar të shprehur në përmbajtjen e nenit “D” të Aneksit të Kushtetutës si dhe në mënyrën e formulimit të nenit 61/3 të ligjit të “Vettingut”.

Kushtetutbërësi i vitit 2016, krahës standaditit të “dyfishit të pasurisë së ligjëshme”,  parashikoi edhe mundësinë e shkarkimit nga detyra të magjistratëve në disa raste, specifike, të parashikuar në nenin D/5 të Aneksit të Kushtetutës. Por në dallimi nga koncepti i mësiëprm, në këtë paragraph, u përcaktuar si kusht vërtetimin i dashjes/vullnetit të Magjistratit “për të fshehur pasurinë apo për t’i deklaruar ato në mënyrë të pasaktë”. Për të mos lejuar devijime në interpretim është zgjedhur shprehja “përpiqet të” – formë gramatikore e foljes “PËRPIQEM”, e cila, sipas fjalorit të gjuhës shqipe ka kuptimin:

Bëj gjithçka që është e mundur për t’ia dale në krye një pune ose për të arritur diçka,..”.  

Ndërsa sipas vendimeve të Institucioneve të Rivlerësimit,  ”gjetjet” e hetimit administrativ, dhe disa prej vendimeve të dyshimta të tyre, jo vetëm nuk lidhen me  deklarimin e ”dyfishit të pasurisë së ligjëshme”, por ”bazohen” në ndonjë harrese, lapsuss apo gabim njerëzor, të Subjekteve apo Personave të lidhur me të, te cilat nuk kane lidhje me “përpjekjet” për të “fshehur” pasuritë ose  për t’i paraqitur, qëllimisht, në mënyrë të pasaktë. Për rrjedhojë një pjesë jo e pakët e e largimeve nga detyra “nuk janë në përputhje me ligjin kushtetues”.

Përpos shkeljes së kësaj dispozite kushtetuese, në pamundësi për të justifikuar vendimet e tyre sipas shkaqeve kushtetuese te shkarkimit, Komisionerët e KPK-së, ose janë shprehur përciptazi ose e kanë shmanguar arsyetimin e kesaj dispozite ne vendimit të tyre.

Por ata, te vendosur per te mos respektuar qellimin e prtocesit te rivleresimit, kanë thelluar paligjëshmërinë e vendimmarrjeve të tyre,  duke  interpretuar në mënyrë të zgjeruar dhe kundër përmbajtjes gramatikore, nenin 61/3 të ligjit nr 84/2016, i njohur si ligji i “Vettinguit.  Kjo dispozitë parashikon se magjistrati mund të shkarkohet “Kur rezulton se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë sipas parashikimeve të neneve 39 dhe 33 të këtij ligji”.

Duke përdorur lidhëzen “DHE” në përmbajtjen e këtij paragrafi,  vullneti i ligjvënësit kërkon vërtetimin e njëkohëshmë të ”pamjaftshmërisë” në kontrollin e figurës dhe atë të pasurisë, si shkak  shkarkimit nga detyra e magjistratit.  Ky kuptim konfirmohet nga fjalori i gjuhës shqipe, që për lidhesen “DHE”, përcakton se është një lloj i lidhëzave bashkërenditëse që: “1. Përdoret për të lidhur dy gjymtyrë fjalie të një fare ose dy fjali të bashkërenditura këpujore a shtuese”.

Prandaj duke zgjedhur këtë lidhës,  ligjvënësit ka qenë i qartë në synimin e tij, për ti dhënë  dispozitës kuptimin kumulativ/“bashkues”, duke lejuar që magjistrati  të shkarkohej nga detyra kur rezultonte, njëkohësisht, me  “pamjaftushmëri”,  si për kriterin e pasurisë edhe për kriterin e vlerësimit të figurës.

Ndonëse, sipas pargrafit të tretë të nenit 61 të ligjit të Vettingut, vullneti i ligjbërësit ka qenë i qartë, interpretimet, jo vetëm nga KPK, por edhe nga Gjyqtarët e KPA, (të ngarkuar nga ligji e Kushtetuta për të bërë iteretimin përfundimtar të legjislacionit të Rivlerësimit),  kanë qenë e vijojnë të jenë në kundërshtim me këtë vullnet, duke e aplikuar këtë dispozitë me kuptim alternativ të dy rrethanave, njësoj sikur ligjvënësi të kishte zgjedhur lidhëzen  ”OSE”. Për ndokënd mund të duke e pa rëndësishme, popr për njohësit e ligjit dhe të pasojave të këtij deformimi, janë larguar larguar nga sistemi i drejtësisë, magjistartë që kanë qenë me figurë të pastër dhe integritet, por nuk kanë rakorduar të gjitha shpenzimet me ta ardhurat e krijuara shumë vite para se të diskutohej reforma në drejtësi.

Për të konkretizuar këtë interpretim të paligjëshëm të KPK dhe Institucioneve të tjera  të Rivlerësimit, po ilustrojmë me disa qëndrime të doktrinës juridike,  apo të praktikës dhe jurisprudenca gjyqësore. Kështu nga përmbajtja e dokumentit Manual i hartimit të ligjeve, botuar nga Ministria e Drejtësisë, (me ndihmën e programit CARDS, të Bashkimit Europian), duke përshkruar teknikën e hartimit të ligjeve, del se është përcaktuar qartazi, edhe kuptimi kumulativ/bashkues i lidhëzes “DHE”, në dallim nga kuptimi veçues/alternativ i lidhëzeve “OSE/APO”  (shih faqje 82 e vijues dhe 112 të këtij manuali në faqen zyrtare të MD).

Edhe sipas jurisprudencës Gjykatës Kushtetuese, orientohet praktika gjyqësore në të njëjtin interpretim si psh në vendimin nr 24/2006, (me objekt interpretimin e përmbajtjes së nenit 101 të Kushtetutës). Në arsyetimin e Gjykatës sqarohet përdorimi me efekt kumulativ, të njëkohëshëm, të lidhëzes “DHE” në dallim nga efekti veçuese i lidhëzës tjetër bashkërenduese “Ose” kur shprehet:“…Prania e domosdoshme e të dy elementëve rezulton edhe nga analiza gjuhësore e tekstit të nenit 101 të Kushtetutës. Lidhëza “dhe” si në çdo rast, kërkon praninë e njëkoshhme të të dy elementëve, në dallim nga rastet e tjera kur në dispozitën ligjore janë përdorur lidhëzat “ose”/ “apo”. (Shih më shumë punimin e doktoraturës të z. S.Berberi(ish gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese)

Ky argument gjen mbështetje edhe nga një Raportin studimor i publikuar prej Komiteti Shqiptar i Helsinkit më 4 Shtator 2020, sepse  për interpretimin e nenit 61/3 të ligjit 84/2016, shprehet se: “…Nga leximi literal i këtij neni vërehet se ligjvënësi ka reflektuar qasjen kumulative nëpërmjet përdorimit të lidhëzes “dhe”, si rrjedhojë subjekti duhet të realizojë deklarim të pamjaftueshëm për të dy kriteret e vlerësimit, në mënyrë që masa disiplinore e dhënë në ngarkim të tij të përligjet nga aplikimi i kësaj dispozite ligjore”.

Madje për çudi, qasjen me kuptim bashkues – kumulativ, të lidhëses “DHE”, e gjejmë edhe në praktikë e Institucionet e Rivlerësimit gjatë interpretimit të dispozitave  të tjera të legjislacionit të rivlerësimit. Veçojmë përmbajtja e nenit D/3 të Aneksit të Kushtetutës, për të cilin, me të drejtë nuik është pranuar interpretimi “veçues” i konceptit të “Pasurisë së ligjshme”, por është aplikuar kuptim “kumulativ” i saj, sepse fjalitë  bashkohen me lidhëzen “DHE”.  Ky interpretim është evidentuar  edhe nga përmbajtja e Vendimit të Gjykatës së Strasburgut në rastin Xhoxhaj, ku arsyetohet se: “Që një pasuri të konsiderohet e ligjshme, duheshin plotësuar dy kushte: -të ardhurat e përdorura për krijimin ose blerjen e tij duhej të buronin nga një aktivitet i ligjshëm, dhe -të ardhurat duhet të ishin subjekt i pagesës së taksave ose detyrimeve të zbatueshme. Përmbushja kumulative e këtyre dy kushteve parashikohej qartë në Nenin D të Kushtetutës dhe në nenin 3 të ligjit të Vettingut”.

Prandaj në disa vendimmarrje të paragjykuara, del se Institucionet e Rivlerësimit, duke deformuar përmbajtjen e nenit 61/3 të ligjit të Vettingut,  në kundërshtim me diskrecionin e tyre, për justifikimin e largimit të padrejtë të shumë magjistratëve, kanë  krijuar vetë, një shkak të ri të dhënies së masës disiplinore. Duke konstatuar këto interpretime të gabuara, si disa prej ekspertëve vendas, (madje edhe të nivelit të lartë të Reformës në Drejtësi), edhe disa Institucione Ndërkombëtare përfshirë edhe Komisionin e Venecias,  janë shprehur edhe publikisht kundër këtyre praktikave që kanë deformuar deri edhe qëllimin e  ligjit dhe të Reformës në Drejtësi.

Me këto problematika të procesit të rivlerësimit kanë qenë e janë në dijeni edhe anëtarët e Parlamentit të zgjedhur para dhe pas datës 25 Qershor 2021. Madje disa antarë të Komisionit të ligjeve kanë qenë edhe në përbërje të Komisionit përkatës parlametar që përgatiti legjislacionin e reformës në drejtësi dhe prezantoi “formulën e Vettingut. Duke qenë edhe juristë të kualifikuar ata kanë patur dhe kanë aftësinë për të kuptuar përmasat e shkeljeve të vullnetit parlamentar dhe të pasojave negative që kanë sjellë ato për kolapsin që po ngërthen sistemin e drejtësisë.

Ashtu sikurse aktualisht nuk lënë rast pa përdorur si “varkë shpëtimi”, për ndërhyrjen legjislative me qëllim shtyrjen e afatit kushtetues të veprimtarisë së KPK-së, rekomandimin e fundit të Komisionit të Venecias, firmëtarët e nismës legjislative (dhe jo vetëm), duhet të shqetësohen edhe për cilësinë e vendimeve të dhëna prej Institucioneve të Rivlerësimit dhe problematikave që Komisioni i Venecias ka prezantuar në disa prej rekomandimeve dhe opinioneve të tyre, të cilat i ka zënë pluhuri i harresës. Mjafton të rikujtojmë rekomandimet e Komisioni i Venecias në raportin paraprak dhe dhe përfundimtare të publikuar në periudhën Mars – Qershor 2020, kur, pasi kritikoi qartazi procedurat e zbatuara gjatë proceseve të rivlerësimit, u shpreh se: “Ndërsa reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut mbeten një prioritet dhe duhet të përmbyllen me sukses, është e nevojshme që të vlerësohet nëse rregullat, në mënyrën si po zbatohen, çojnë apo jo në zgjidhje të mira dhe nëse nuk lejojnë shumë hapësirë për manipulim politik”.

Për përmasat e deformimit të vullnetit parlamentar, mund të vijnë në ndihmë edhe kritikat  e ndonjë prej Vëzhguesve të ONM-së, si psh, z. Ferdinando Buatier de Mongeot, në mendimin e tij kundër KPA-së, (ndaj vendimit për shkarkimin e znj A.S), kur theksoi se interpretimi i zgjeruar i nenit 61/3 të ligjit 84/2016 e kthen ligjin në një mjet “të aftë për të kryer mutacion gjenetik të çdo pike të përmendur në nenin 33 dhe duke e kthyer atë në “deklarim të pamjaftueshëm…..”. Ndonëse në shkurt të vitit 2019, kjo shprehje nuk ishte shumë e njohur për publikun, një vit më pas, në mars 2020 e në vijim, për shkak të rrezikshmërisë së formeve të reja të virusit COVID – 19, koncepti figurativ “mutacion gjenetik”, është bërë shumë më i njohur, sepse artikulohet nga mjekët për të treguar format e reja të këtij virusi.  Në këtë kontekst, mund të thuhet se me ndjesinë e një parashikuesi, z. Ferdinando, demostroi publikisht dhe qartësisht, pasojat e rënda që do të shkaktonin Institucionet e Rivlerësimit nëpërmjet interpretimit të gabuar të nenit 61/3 të ligjit të Vettingut dhe largimeve të padrejta të magjistratëve nga detyra.

Edhe më i drejtpërdrejtë ishte vëzhguesit të ONM-së, z.Steven Kessler, në qëndrimin kundër vendimit nr 362/2021 të KPK-së (për shkarkimin e z.G.Qana), sepse, pasi ka theksuar se “..sanksioni i pushimit nga puna autorizohet kur asete te paligjshme ose te pashpjegueshme jane me shume se dyfishi i aseteve dhe te ardhurave te ligjshmeështë shprehur se:  “eshte nje korruptim i qellimit te ligjit te shkarkosh kete subjekt nga detyra..”

Me këtë opinion, z. Steven, i ka thënë të gjitha: Institucionet që janë ngritur në nivel kushtetues me prithsmërinë e largimit të pjesës së korruptuar të sistemit të drejtësisë, kanë deformuar përmbajtjen e legjislacionit të “Vettingut”, deri në përmasat e “korruptimit të qëllimit të ligji” !!.    

Duke përfunduar, medoj se është ende koha që çdo ligjvënës, përpara se të diskutojnë dhe të votojnë për zgjatjen e afateve të KPK-së, të kërkojnë në mënyrën e duhur, institucionale, respektimin prej Komisonerët e KPK-së dhe anëtarët e Institucioneve të tjera të Rivlerësimit, të vullnetit të shprehur nga Parlamenti në formulimin e dispozitave të legjislacionit të “vettingut”, pa lejuar “mutacion gjenetik” apo “korrputim” të këtij legjislacionit që u miratua me votë UNANIME në 21 Korriku 2016.

Tiranë më 15/12/2021

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?