Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim: Dialog për të dalë nga kriza
Kriza politike në Shqipëri ka vënë në lëvizje edhe aktorë të pavarur të shoqërisë civile.
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim u bën thirrje palëve e përfshira dhe aktorëve të tjerë më rëndësi që të përfshihen menjëherë në një dialog konstruktiv që përfshin gjithashtu shoqërinë shqiptare.
Për të dalë nga kjo krizë, IDM propozon 3 pika.
1-Moratorium politik 1 vjeçar – Shkëputje nga të gjitha veprimet aktuale politike të cilat injorojnë krizën politike ose nxisin përshkallëzimin e mëtejshëm të saj, nëpërmjet një marrëveshjeje të aktorëve politikë dhe shoqërisë shqiptare me qëllim angazhimin në reforma “shtet ndërtuese” dhe përshpejtimin e procesit të negociatave për anëtarësim në BE.
2-Fillimin e menjëhershëm të një dialogu kombëtar të aktorëve politikë, komunitetit të ekspertëve dhe shoqërisë shqiptare, me përfshirjen e partnerëve ndërkombëtarë mbi një axhendë (RoadMap) reformash kushtetuese për rivendosjen e “kontrollit dhe balancave të pushteteve” dhe rritjen e besimit publik tek sistemi i qeverisjes, forcimin e pavarësisë së institucioneve mbikëqyrëse, përfshirë këtu masa të cilat forcojnë rolin e opozitës në parlament si edhe një kuadër ligjor me integritet të lartë për zgjedhjet (sistem elektoral, financim & demokraci e brendshme e partive politike) në bazë të të cilit të zhvillohen zgjedhje e ardhshme parlamentare.
3- Aktorët politikë të përafrojnë qëndrimet dhe dakordësojnë një marrëveshje për qeverisje efikase që do të mundësojë progresin e vazhdueshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta dhe të prioriteteve të tjera çka do të lehtësonte procesin e një vendimi pozitiv të Këshillit Europian mbi hapjen e negociatave (qershor 2019). Të miratohen menjëherë rekomandimet e OSBE/OHDIR dhe të mbahen zgjedhje të lira e të drejta lokale si pjesë e ciklit të rregullt elektoral dhe në përputhje me angazhimin e vendit për të përmbushur kushteve për hapjen e negociatave, sipas përfundimeve të Këshillit Europian (qershor 2018).
KOHA JONË SONDAZH

