Integrimi, Bushati: Kemi mbështetje nga Europa e SHBA

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, thotë se Shqipëria ka marrë mbështetjen e duhur nga vendet e Bashkimit Europian për integrimin. Në prag të vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, në Tiranë, Bushati thotë se, edhe me mbështetjen amerikane do të arrihen të gjitha afatet.

Ndërsa brenda fundit të marsit, nënvizon ai, do merren në shqyrtim reformat që ka ndërmarrë Shqipëria për të shkuar më tej te marrja e një rekomandimi që do çonte Shqipërinë në hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

I pyetur nga gazetarja Arta Tozaj e “Top Channel” për mesazhet për Shqipërinë në interministerial, Bushati tha se “diskutimi u fokusua tek mundësia për të zbatuar disa angazhime të vendeve anëtare dhe të atyre kandidate”.

“Ne shprehëm angazhimin tonë për të vijuar me detyrimet që kemi marrë përsipër, që nga takimi i tetorit në nivel kryeministrash të rajonit, plus disa prej vendeve anëtare të BE, por edhe të ministrave të Jashtëm për të bërë punë në këtë drejtim.

Por nga ana tjetër janë dhe sfidat si siguria, steriotipet negative që po shfaqen në Evropë dhe që po fuqizojnë ekstremin e djathtë, duke i vendosur BE-në dhe vendet kandidate në një situatë të vështirë.

Ne besojmë se ky është një proces i rëndësishëm sa ç’është edhe procesi i avancimit të axhendës evropiane të vendeve tona dhe sfidat aktuale nuk duhet të lënë në hije procesin e integrimit të Ballkanit, që ka të bëjë me axhendën e shtetndërtimit demokratik.

Afatet janë të kapshme, ne po punojmë për të siguruar një rekomandim për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Ka një dashamirësi nga KE, nga vendet anëtare dhe SHBA, që luajnë një rol të rëndësishëm për mbështetjen që i japin procesit të integrimit dhe fundi i marsit që përkon me dialogun e nivelit të lartë Shqipëri-BE, do të shërbejë jo për të rishikuar progresin që ka bërë shqipëria me 5 prioritetet, por edhe për të përcaktuar një kalendar veprimesh për arritjen e objektivit që është sigurimi i rekomandimit për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit”.

Takimi i Amsterdamit

Takimi i formatit “gymnich” është një mbledhje jozyrtare, ku 28 ministrat europianë bisedojnë hapur, pa praninë e diplomatëve dhe kështilltarëve respektivë, për çështjet kyçe të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE.

Kriza e refugjatëve dhe pasojat për sigurinë e BE-së ishin në fokus të tryezës së Amsterdamit, ku Presidenca Holandeze mblodhi ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare dhe kandidate të BE-së.

Ata u pajtuan se bashkëpunimi i përforcuar i muajve të fundit me vendet e Ballkanit dhe Turqinë duhet shfrytëzuar për konsolidimin e reformave integruese dhe avancimin e tyre drejt Unionit.

“Integrimi europian i këtyre vendeve, sidomos të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Mal i Zi, Serbia, Maqedonia), por edhe Turqia, kanë një vlerë të shtuar më vete, sepse ne kemi nevojë për politika të përbashkëta dhe instrumente të përbashkët për të përballuar dhe menaxhuar një fenomen që na përket të gjithëve”,- deklaroi Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e BE-së.

Kjo shënon mbledhjen e parë të këtij formati për këtë vit. E njëjta temë shoqëroi dhe dy takimet informale të 2015-s./TCH/

SHKARKO APP