Integrimi europian në këtë situatë? Ilir Meta: Sistemi ligjor ka rënë
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se nuk mund të ketë integrim europian të vendit në një situatë ku ka rënë sistemi ligjor. I ftuar në emisionin ”Spotlight”, Meta u shpreh se kryeministri Edi Rama i ka uzurpuar të gjitha pushtetet që nuk i takojnë, ndërsa disa iu falën nga vetë opozita.
”LSI-ja për fat të keq e humbi misionin padashje për shkak të disa vendimeve që mori dhe që e nxorrën nga misioni i saj si forca që garantonte integrimin europian të vendit. U krijua për të zhbllokuar këtë çështje. Aktualisht nuk është prioriteti numër një. Këtu kemi problemin kryesor që ka rënë sistemi demokratik, shteti ligjor dhe janë shkelur liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Që nga liria e shprehjes, liria ekonomike, sipërmarrjes, konkurrenca.
Nuk ka një bazë ideologjike pasi nuk është problemi i karakterit të ngushtë ideologjik. Vetë PS duhet të ishte partia e mbrojtjes së shtresave më të thjeshta të shoqërisë. Duhet të ishte një parti që ka një raport me integritet me këtë shtresë të shoqërisë.
Nëse do shihni raportin e Shqipërisë përpara 90’, të gjithë treguesit socialë janë përkeqësuar. Nuk është çështje që të bëhemi më të majtë apo të djathtë. Duhet të garantojmë atë sukses që i jep zgjidhje. Ka humbur ky kontroll i qytetarëve. Rama do që të uzurpojë pushtete që nuk i takojnë”.