Integrimi i Shqipërisë, eurodeputeti Lukas Mandl: BE-ja e ka zvarritur vetë procesin

”Shqipëria meriton të bëhet sa më parë pjesë e BE-së”, thotë eurodeputeti nga Austria Lukas Mandl. Për të vetë Bashkimi Europian ka zvarritur procesin e integrimit dhe nuk ka bërë sa duhet për rajonin. Po ashtu ai flet edhe për Kosovën. ”Unë e admiroj durimin e qytetarëve të Kosovës, për problemin e vizave. Unë e kam humbur durimin tim, sepse nuk ka asnjë argument pse nuk është hequr ky regjim si ka ndodhur dhe me 5 shtetet e tjera të rajonit”.

Kur besoni se do të vijë momenti i duhur, për të hapur dhe zyrtarisht konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë?

Ajo që kemi parë në të kaluarën është se disa vendimmarrës evropianë kanë humbur mundësinë e tyre për të marrë në BE këto vende. Pra, të gjitha 6 vendet së bashku. Kemi parë një si lloj shtyrjeje së fundmi, që për mua është e gabuar. Kemi një situatë problematike në Ukrainë që na tregon se duhet ta forcojmë Evropën duke përfshirë shtetet e Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu të përmirësojmë raportet tona me Zvicrën dhe Britaninë e Madhe.

A besoni se ky është momenti i duhur për të hapur negociatat mes BE dhe Shqipërisë?

Gjithmonë ka qenë koha e duhur, vite e vite me radhë. Kam parë një lajm të mirë, që Maqedonia e Veriut ka parë një dritë jeshile nga Presidenca Franceze, por edhe për Shqipërinë. Negociata ose mbledhja e parë ndërqeveritare duhet të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur. Si e thashë më lart, duhet që të forcojmë Evropën duke i futur të 6 shtetet në BE menjëherë.

Si e shpjegoni këtë vonesë?

Unë si deputet kam tentuar që pothuajse çdo javë të jap informacion për Ballkanin, pasi është e rëndësishme. Unë mendoj se për shkak të informacionit, mungesës së unitetit, të cilën e kemi parë në rritje, luftën në Ukrainë, duhet të përfshijmë 6 shtetet e Ballkanit në BE.

Dua një koment për Kosovën gjithashtu, pasi ju e njihni shumë mirë, kur mund të kemi liberalizim vizash për shqiptarët atje?

Unë e admiroj durimin e qytetarëve të Kosovës, për problemin e vizave. Unë e kam humbur durimin tim, sepse nuk ka asnjë argument pse nuk është hequr ky regjim si ka ndodhur dhe me 5 shtetet e tjera të rajonit. Por, kjo është një gjë e vogël, duhet të hedhim edhe hapa të tjerë që lidhen me përfshirjen e Kosovës dhe integrimin në BE.

Kam dhe një pyetje të fundit, cilat besoni se janë sfidat kryesore që ka rajoni ynë?

Një prej tyre do të thosha e shkuara. Është diçka që lidhet më të gjithë ne, shoqëritë tona, që jemi të bllokuar nga e kaluara jonë, nga konflitet e të kaluarës, nga përplasjet. Prandaj është e rëndësishme ajo që njihet si procesi i afrimit. Nuk duhet të harrojmë se çdo qytetar në çdo shtet është i njëjtë, por fatkeqësisht bota dhe Bashkimin Europian nuk kanë qenë modele të mira në lidhje me këtë aspekt, gjë që duhet të ndryshojë. Pasi në lidhje me vlerën themelore që ka BE nuk ka bërë sa duhet për rajonin.

E dyta, është dhe një problem që lidhet me lajmet e rreme, disinfomacionin, për natyrën e vërtetë të Ballkanit Perëndimor, ose ndonjëherë edhe për numrin e banorëve që jetojnë. Progresi nuk është se ka ecur si duhet.

Gjithashtu nuk duhet harruar edhe ato që janë reformat që duhen bërë, si përmirësimi i treguesve këtu që lidhen me shtetin e së drejtës dhe jo se disa burokratë në Union ua kërkojnë, por është mirë edhe për qytetarët tuaj. Pasi kjo do të krijonte më shumë vende pune. Por, kjo është një kërkesë që Bashkimi Evropian nuk e kërkon vetëm jashtë, por edhe brenda vetes, prandaj dhe ju si shtetet që do jeni pjesë e Unionit duhet ta demonstroni.

Intervista e dhënë për ”Report Tv”

SHKARKO APP