Integrimi në BE, Kryeministri Rama: Proces historik, por me shumë ngarkesë. Sfida e sfidave është…
Kryeministri Edi Rama thotë se procesi i integrimit në BE është një proces historik dhe që rrit në mënyrë thelbësore kapacitetet institucionale të vendit. Rama tha se procesi ka shumë ngarkesë. Ai tha se viti 2027 duhet ta gjejë Shqipërinë me objekte të realizuara.
“Unë, së bashku me zëvendëskryeministren e pamë të arsyeshme që këtë prezantim ta bënim hapur, sepse është shumë e rëndësishme që opinioni publik të ketë një ide për të gjithë kompleksitetin këtij procesi. Ndërkohë çka flitet në publik, është shumë e reduktuar në gjëra, ose është shumë bazike ose tërësisht pa lidhje në këtë proces. Sigurisht që procesi ka shumë ngarkesë.
Realisht është për t’u përgëzuar i gjithë ekipi i negociatave, ashtu si kundër është për t’u përgëzuar puna e ministrave që janë më afër këtij procesi. Pak ditë më parë, ministri i Drejtësisë dhe ministri i Brendshëm, së bashku me kryenegociatoren bënë një prezantim shterues në tryezën e ambasadorëve. Ndërkohë që ministri i Jashtëm është gjatë gjithë kohës i koordinuar me të dyja ministritë e shtetit për të gjithë dimensionin politik të procesit në komunikimin tonë ndërkombëtar.
Ajo që më bie në sy është domosdoshmëria për të kaluar nga drita e kuqe në atë jeshile në prokurimin publik, ku kemi bërë një progres të madh por nuk jemi ende në kornizën e progresit të mirë që nënkupton plotësim të këtij aspekti në kuadrin e kushteve. E sjell në vëmendje sepse është vendimtare që puna e nisur për modernizimin e mëtejshëm me AI për prokurimin publik duhet të vijojë. 2027 duhet të na gjejë me objektiv të realizuar.
Kontrolli financiar, edhe aty progresi është i kufizuar.
Por sfida e sfidave është siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit në tërësi”, tha ndër të tjera Rama.
KOHA JONË SONDAZH

